Kosova

Ish-kryetarja e KQZ-së tregon se çka fshihet pas vendimit për largimin e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbajti së fundi një konferencë për media në të cilën fokusi i saj ishte deklarimi lidhur me publikimin e Raportit të Progresit për Kosovën.

Por gjatë deklarimit të saj, Osmani ndaloi edhe tek paralajmërimi që para pak ditës ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka dha për lajmi.net ku theksoi sedo ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese vendimin për shkarkimin e saj.

Por këtë paralajmërim të Dakës, Osmani e cilësoi si kërcënim, e që sipas saj nuk do ta spraps.

“Mua nuk do të mund të më spraps askush me kërcënime për dërgim në Gjykatën Kushtetuese. Mbi të gjitha kam mandat të qartë popullor dhe nga kjo nuk do të tërhiqem në asnjë moment”, tha Osmani.

Image

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka e cila ndër të tjerash ka thënë se nuk ka koment lidhur me deklarimet e Osmanit, por që ka të drejtën të shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike për këtë rast.

“S’kam koment. Unë nuk kërcënoj askënd, kam të drejtë t’i shfrytëzoj mjetet juridike si të gjithë të tjerët në këtë shtet”, deklaroi Daka.

Përpos kësaj, Daka tha se vlerësimi i Bashkimit Evropian lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit është publik tashmë dhe se të gjitha lidhur me këto zgjedhje janë thënë edhe në raportin e fundit të BE-së.

“Asnjë vërejte nuk është në raport për mua si Kryetare e KQZ-së, përkundrazi në raport potencohet edhe kërcënimi i Vjosa Osmanit për shkarkimin tim derisa ishte U.D e Presidentes”, shtoi Daka.

Image

E në deklarimin e saj të kaluar, Valdete Daka theksoi se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ta kundërshtuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e saj.

Në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 17 tetorit, është përmendur edhe vendimi i presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës.

Në raport ndër të tjerash është thënë se vendimi i Osmanit për të shkarkuar ish-kryesuesen e Komisionit Qendror Zgjedhor është marrë më 14 qershor, katër vite para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale, duke thënë se ky vendim është mbështetur në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish kryesuesen e KQZ-së së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, thuhet në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Image

Valdete Daka parashihej që mandatin shtatëvjeçar ta përfundonte me rregull në vitin 2025, kurse ajo kishte udhëhequr këtë organ qe nga qershori i vitit 2010.
Pas shkarkimit të Dakës nga drejtimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, në krye të KQZ-së u emërua Kreshnik Radoniqi.

Radoniqi kishte deklaruar se nuk dëshiron të flasë për shkarkimin e Dakës e që sipas tij e njëjta ka kryer siç duhet punën e saj përgjatë kohës sa po drejtonte këtë organ.

Çështja e shkarkimit të Dakës nga presidentja Osmani ishte komentuar edhe nga partitë opozitare si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku të njëjtit veprimin e Osmanit e kishin cilësuar si të padrejtë dhe me anim politik.

Image

Shfaq më shumë
//mauchopt.net/4/3473483