Kronika e zezë

Ish-komandanti Azem Veseli, njëri nga të arrestuarit për fajde

Gjashtë persona janë arrestuar si të dyshuar për fajde, dje dhe sot, në rajonin e Pejës dhe të Gjakovës.

Njëri nga të arrestuarit në rajonin e Pejës, Sinjali mëson se është edhe ish-komandanti i brigadës 133, Azem Veseli.

Veseli dhe pesë të dyshuarit e tjerë janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë ndalur për 48 orë.

Përveç arrestimit, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi edhe për kontrollin e disa lokacioneve, ku u sekuestruan vetura, para e dokumente.

“Gjatë fazës hetimore, janë kontrolluar disa lokacione në Pejë, Deçan dhe Gjakovë, nga të cilat janë sekuestruar katër vetura, telefona, dokumente, armë, para dhe prova tjera, si dhe janë bllokuar disa xhirollogari bankare të dyshuarave për shkak të fajdeve. Ky rast ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë raportuar personat e dyshuar që merren me veprimtarin e fajdesë”, ka bërë të ditur prokuroria.