Kosova

Ish-drejtori i Policisë: Kurti e keqpërdori Policinë e Kosovës, aksioni në veri pati prapavijë elektorale

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Rashit Qalaj, dikur Drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave në Veri është keqpërdorur nga skena politike në Kosovë.

Qalaj tha se ky operacion, i cili ka të bëjë me zbatimin e urdhëresave nga gjykata, ka marrë ngjyrim elektoral.

“Ky operacion në bazë të konferencës për shtyp që sot pamë nga drejtori i Policisë, drejtori i Doganave dhe nga ministri i brendshëm, hetimet për këtë operacion kanë filluar një vit më parë, në bazë të deklaratave të tyre. Dhe janë implementuar nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, ndërsa lajmin për përfundimin e operacionit e bën kryeministri i vendit. Ku e di kryeministri i vendit se a ka përfunduar operacioni a jo, dhe pse ai duhet të dalë në ekran, në konferencë dhe të thotë që operacioni ka përfunduar, kur kemi të bëjmë me një operacion të zbatimit të ligjit.”, potencoi ai.

Sipas Qalajt, në kumtimin e rezultateve të këtij operacioni nuk do të duhej të përfshihej as ministri i brendshëm.

“Tentativa që përmes këtij operacioni të ndikojnë në fushatën elektorale, në votuesit, me qenë se zgjedhjet i kemi pas tri katër ditësh është e qartë. Dhe është shumë keq kur kemi të bëjmë me Policinë e Shtetit, të cilët punojnë në një institucion shumë kredibil dhe shumë i besueshëm në vend, mirëpo që në kohën e fundit në mënyrë të hapur është duke u atakuar nga pushteti aktual.”, tha ai në Klan Kosova.

Qalaj tha në Veri nuk është bërë vlerësim i mirë i rrezikut, marrë parasysh edhe operacionin e dështuar për targat, si rezultat i marrëveshjes në Bruksel, gjë që ka trimëruar bandat kriminale serbe.