Kosova

Ish-deputeti i PDK-së largohet nga partia

Ish-deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj, përmes një letre publike ka njoftuar se është larguar nga kjo parti.

Shurdhaj ka thënë se është zhgënjyer me proceset politike brenda PDK-së, sidomos në degën e Malishevës. Sipas tij aty “kuadrat e vjetra kanë degraduar vlerat politike të PDK-së që kanë punuar vetëm për interesa personale familjare dhe klanore duke e dëmtuar imazhin e PDK-së që nga Kuvendi i parafundit më 2014 e deri më sot”.

Ai ka thënë e ka pasur besim që “Dekada e re” të sillte njerëz të rinj dhe frymë të re në PDK, por, sipas tij, “aty po ndodh e kundërta”.

“Me besimin më të madh që ‘Dekada e re’ do të sillte njerëz të rinj dhe frymë të re politike në programin e PDK-së të cilin e përqafuan shumë qytetarë dhe intelektualë nga treva jonë, por fatkeqësisht po ndodhë e kundërta në PDK që po zhgënjen qytetarët të cilët nuk kanë pritur që prapë njerëzit e vjetër e të dështuar , të korruptuar të jenë prapë bartës të strukturave të PDK-së të cilët publikisht po shihen edhe në afera të ndryshme të paraqitura nga mediet tona. Si një prej kandidateve më të votuar nga katër palë zgjedhje kam pasur mandat të qytetarëve t’i përfaqësoj si deputet në Kuvendin e Kosovës, por edhe në Kuvendin e fundit zgjedhor si njeri nder më të votuarit nuk mundem ta gjej veten në mesin e atyre që më tepër se 10 vite PDK në Malishevë e kanë degraduar dhe përdorur vetëm për interesa personale”, ka shkruar Shurdhaj.