Kosova

Ish-ambasadori Delawie komenton letrën e Biden për Kosovën

Ish-ambasadori i ShBA’së në Kosovë, Greg Delawie ka rishpërndarë letrën që kandidati për president Joe Biden u ka dërguar shqiptaro-amerikanëve që mbështesin Bidenin në zgjedhjet presidenciale, lidhur me vizionin e tij për marrëdhëniet e ShBA’së me Shqipërinë dhe Kosovën.

Delawie ka thënë se kjo letër ka kuptim shumë të mirë pasi Biden do të rikthejë politikën e baraspeshuar të ShBA’së në Ballkan.

“Kjo letër ka kuptim shumë të mirë. I kënaqur të shoh që Joe Biden do të rikthejë një politikë të balancuar të ShBA’së karshi Kosovës duke u bazuar në interesat e sigurisë nacionale të Amerikës në Ballkan”, ka shkruar ai.

Joe Biden, sipas një faqeje shkrim që mban emrin e kandidatit demokrat për president, gjatë fushatës së ashpër kundër presidentit aktual, Donald Trump, ka menduar enkas për shqiptarët, për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Pas dyshimeve të ngritura mbi vërtetësinë e dokumentit, Gazeta Express ka kontaktuar Anila Nicklos, pjesë e organizimit të fushatës së shqiptaro-amerikanëve “Biden për president”.

Nicklos thotë se dokumenti është autentik dhe se grupit organizues të shqiptarëve të Amerikës u është dërguar nga përfaqësuesit e fushatës së Bidenit.

“Dokumenti është autentik. Është dërguar nga përfaqësuesit e “Biden for President” grupit tonë organizues “Albanian Americans for Biden Harris”. Me 8 tetor grupi ynë organizoi një Tubim të madh në bashkëpunim me përfaqësuesit e “Biden for President”. E ftuar e nderit ishte Dua Lipa”, ka thënë Nicklos.