Kosova

Isa Mustafa: Besnik Bislimi do ta fitonte Nobelin, por diku i janë përzier telat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, do ta fitonte çmimin Nobel me teorinë e tij lidhur me papunësinë. Por, kjo s’mund të ndodhë tek ne dhe se ministrit iu kanë përzier telat diku.

“Si teori nëse e zhvillon Bislimi, do ta fitonte çmimin Nobel. Nuk ka ndodh askund, s’mund të ndodh as tek ne. Diku iu kanë përzier telat Bislimit. Prej që kemi filluar bisedat për koalicion, gjithmonë ka ardhur me disa të dhëna që është munduar ta ngritë lartë Vetëvendosjen dhe vetën”, është shprehur Mustafa.

Mustafa e cilësoi si interpretim të gabuar deklaratën e Bislimit për uljen e papunësisë në kohë pandemie.

“Është një interpretim i gabuar, s’duhet të cilësohet ndryshe”, ka thënë Mustafa në RTV 21.

“As në Kosovë e askund tjetër nuk mund të rritet punësimi kur të tjerët nuk punojnë”.

Tutje, Mustafa tha se kjo deklaratë është bërë për të përfituar politikisht.

“Është e gabueshme sepse s’mund të përfitosh politikisht me një konstatim që bash kurrkush nuk ta pranon”, shtoi Mustafa.