Bota

Irani kërcënon me shkelje të reja të marrëveshjes bërthamore

Irani kërcënoi me shkelje të tjera të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke thënë se mund të rinisë punën me centrifugat e çaktivizuara dhe të rrisë pasurimin e uraniumit në 20%.

Irani tashmë e ka tejkaluar kufirin prej 300 kilogramësh të rezervave me uranium të pasuruar, të përcaktuar me marrëveshjen bërthamore.

Këta hapa vijnë pasi Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, vitin e kaluar, dhe kanë rikthyer sanksionet ekonomike kundër Iranit.

Irani ka nisur shkeljet e marrëveshjes, duke u ankuar se palët e mbetura në të – Franca, Britania, Gjermania, Kina dhe Rusia – nuk kanë bërë sa duhet për të mbrojtur ekonominë e tij nga sanksionet.

Kërcënimet e reja për shkelje të marrëveshjes bërthamore u bënë nga Behrouz Kamalvandi, zëdhënës i Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit.

Po sot, Irani u bëri thirrje nënshkruesve evropianë të marrëveshjes që të përmbahen nga ndonjë veprim i nxituar, në përgjigje të shkeljeve të Teheranit.

Nëse palët evropiane në marrëveshje “bëjnë veprime të çuditshme, atëherë ne do t’i kalojmë të gjithë hapat e ardhshëm dhe do ta zbatojmë atë të fundit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, pa e specifikuar se cili është hapi i fundit.

Në Bruksel, një zëdhënëse e Bashkimit Evropian tha se blloku është “jashtëzakonisht i shqetësuar” nga planet e Iranit për të shkelur kufirin e pasurimit të uraniumit.

Me këtë substancë, Irani potencialisht mund të krijojë armën bërthamore.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483