Bota

Irani anuloi faljen e Xhumasë në disa qytete – shkak koronavirusi

Irani e anuloi faljen e Xhumasë në Teheran dhe 22 qytete të tjera – për herë të parë në disa dekada – për të frenuar përhapjen e një koronavirusi të ri.

Ky ritual, në të cilin zakonisht marrin pjesë dhjetëra-mijëra njerëz, u anulua me këshillë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Autoritetet po ashtu kufizuan hyrjen në faltoret kryesore shiite në Kom – epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit COVID-19 – dhe në Mashhad.

Ministria e Shëndetësisë e Iranit paralajmëroi se numri i njerëzve të prekur me koronavirus do të rritet në ditët e ardhshme.

Të premten, Irani raportoi për 388 njerëz të infektuar dhe 34 të vdekur.

Irani ka qenë po ashtu burim i shpërthimit të rasteve edhe në vendet fqinje, përfshirë: Afganistanin, Bahrejnin, Irakun, Kuvajtin, Omanin dhe Pakistanin.

Megjithatë, presidenti iranian, Hassan Rohani, përjashtoi mundësinë e izolimit të qyteteve ose qarqeve, duke thënë se vetëm individët që kanë ose dyshohet se kanë koronavirus, do të izolohen.

Koronavirusi e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete të botës kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.

Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të premten në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.