Bota

Iran, arrestohen dhjetëra persona për shkak të përhapjes së thashethemeve në lidhje me koronavirusin

Autoritetet iraniane kanë arrestuar dhjetëra persona, pasi të njëjtit përhapën thashetheme në lidhje me koronavirusin.

Njësiti i policisë iraniane kundër krimeve kibernetike i ka arrestuar 24 persona të akuzuar për përhapje të thashethemeve rreth koronavirusit përmes internetit. Lajmin e bëri të ditur agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, ISNA.

Republika Islamike është duke u përballur me rritje të numrit të rasteve të koronavirusit. Deri më tani, në këtë shtet kanë vdekur 19 persona dhe 139 janë infektuar.

“Njëzet e katër persona janë arrestuar dhe i janë dorëzuar sistemit të drejtësisë, ndërsa 118 përdorues të internetit janë marrë në pyetje dhe janë liruar”, tha Vahid Majid, kryetar i njësitit policor kundër krimeve kibernetike.

“Policia është duke i përcjellë të gjitha lajmet që po publikohen në internet”, shtoi zyrtari policor, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

Ai gjithashtu tha se policia do të marrë masa në lidhje me lajmet, fotografitë apo videot që përmbajnë thashetheme ose lajme të rreme e që kanë për qëllim rritjen e shqetësimeve në shoqëri.