Kosova

IPK heton nëse Policia zvarriti denoncimin e policëve të përfshirë me dallavere për patentë shoferë

Dyshimet për “pazar” me patentë shoferë nga zyrtarë të Ministrisë se Infrastrukturës, Policia e Kosovës i kishte qysh vitin e kaluar.

Siç ka marrë vesh gazeta, përsipër për ta kryer hetimin e kishin marrë dy zyrtarë të Policisë së Krimeve Ekonomike në Rajonin e Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.

Pas disa muajsh hetime, sipas burimeve, zyrtarët N.Th. e S.B. e kishin mbyllur këtë rast me raport informues, sipas të cilit nuk kishte elemente të bazuara për kryerjen e ndonjë vepre penale.

Një hetim i ri i nisur për Departamentin e patentë shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës ka zbuluar dy hetuesit të jenë të lidhur me grupin e të dyshuarve. Aksioni, i cili ka përfunduar me mbi 22 persona të arrestuar, ka zbuluar edhe lidhjen e zyrtarëve policorë me të dyshuarit.

Sipas burimeve të Kohës Ditore, N.Th. dhe S. B. e kanë informuar në detaje udhëheqësin e Njësisë së patentë shoferëve për Prishtinë, Naser Llugaliu, dhe e kanë informuar për secilin detaj të aksionit i cili ishte realizuar rreth dy muaj më parë. Pjesë e aksionit të arrestimit kanë qenë edhe këta dy hetues.