Hi Tech

iPhone 11 mund ta mbështesë Apple Pencil

Apple iPhone 11 (ose iPhone XI, ose çfarëdo emërtimi që kompania mund ta zgjedhë) do të vijë me një funksion befasues. Sipas analistëve të Citi Research, iPhone i ardhshëm do të ketë mbështetje për Apple Pencil, raporton GSMArena.

Që nga lansimi i Apple Pencil origjinal, lapsi i mençur ka punuar vetëm me pajisje iPad, shkruan KOHA Ditore. Nëse parashikimet e analistëve realizohen, ky hap mund ta shënojë një ndryshim në filozofinë e Apple.

Përveç mbështetjes për stylus, Citi Research i përmend gjithashtu shumë gjëra që tashmë i kemi dëgjuar për familjen iPhone 11. Priten ekrane të ngjashme me modelet iPhone XS, XS Max dhe XR, bateri më të mëdha dhe tre kamera në pjesën e pasme në dy modelet më të shtrenjta. Kamera e përparme mund të ketë sensor 10MP, ndërsa ato në anën e pasme mund të jenë nga 14MP.

Citi gjithashtu parashikon që Apple nuk do ta ndryshojë strukturën e çmimeve këtë vit, kështu që pasardhësi i iPhone XS do të kushtojë 999 dollarë, pasardhësi i iPhone XS Max do të kushtojë 1099 dollarë dhe më shumë, ndërsa zëvendësimi për XR do ta ketë një çmim fillestar prej 749 dollarësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.