Kosova

Intervistohet personi që kërcënojë deputetin e Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Haxhi Shala, mbrëmjen e së martës është kërcënuar me jetë.  Tashmë, policia ka arrestuar dhe liruar personin e dyshuar për kanosje ndaj Shalës.

Në një postim në Facebook të publikuar nga Shala, ku kishte njoftuar se mbledhja e Kuvendit të Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, do të mbahet të mërkurën, një person ka komentuar me fjalë banale duke e kërcënuar Shalën.

“Nesër në ora 10:00 mke të qeveria. Hajde rrezoe… kam më ta kput kryt thik se plumb nuk harrgjoj në ty”, ka shkruar në një koment Shemsi Jonzi në postimin që Shala ka bërë me dije për seancën e nesërme.

E Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda e PK-së, pas pranimit të kësaj informate, ka intervistuar Shemsi Jonuzin, si të dyshuar për kanosje përmes rrjeteve sociale.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Policia e Kosovës.

“Pas informatës se dje, më 24.03.2020, një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, ka pranuar një mesazh kërcënues për jetën e tij, sot më 25.03.2020, zyrtarët policor kanë kontaktuar deputetin në fjalë dhe ka filluar hetimet policore. Hetuesit policorë, kanë identifikuar dhe më pas intervistuar të dyshuarin Sh.J. i cili dyshohet ta ketë kryer kanosjen, përmes rrjeteve sociale”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, bëhet e ditur se i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.

“Me vendim të prokurorit kompetent personi i dyshuar është liruar, dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt”, thekson komunikata.