INTERVISTA

INTERVISTË/ 30-VITE IDENTITET EUROPIAN

INTERVISTË ME RASTIN E 30-VJEORIT TË FORMIMIT DHE TË KUVENDIT TË XI ZGJEDHOR TË PSHDK-SË

Intervistë me Dr. Ukë BERISHËN, Kryetar PSHDK-së

DEMOKRISTIANËT E PATËN ZËRIN E TYRE INSTITUCIONAL E SHTETËROR DERISA U SHPALL PAVARËSIA E KOSOVËS, PASTAJ U DEFAKTORIZUAN SI FORCË POLITIKE

Intervistën e zhvilloi:
Mikel GOJANI

“Është vendi të thuhet këtu, se katolikët shqiptarë, të shquar për modesti, sidomos në Kosovë, si pakicë fetare që janë, kanë nevojë për kujdesin tonë. Do të doja të isha i gabuar, por mendoj se bashkësia evropiane, e cila me të drejtë e sheh Kosovën si model të respektit ndaj pakicave, mund të kishte treguar më shumë vëmendje, kur vëmendja ka qenë e nevojshme ndaj katolikëve… Në fund të fundit, është detyrë morale, për ne që s’jemi të të njëjtit besim me katolikët, që, sipas traditës së fisme shqiptare, të tregojmë kujdes për ta.”
Ismail Kadare, në veprën e tij “Krimi në Ballkan” (fq 86).

Në Europën perëndimore partitë demokristiane në asnjë formë nuk janë parti fetare, por dihet se bazohen në një sistem vlerash politike që ka traditë demokracinë kristiane.

● Dr. Ukë Berisha, jeni kryetar shumëvjeçar i PSHDK-së, çfarë mund të na flisni për rrugëtimin e këtij subjekti politik ?

Dr. Ukë Berisha: Më 4 nëntor të këtij viti PSHDK shënon 30-vjetorin e themelimit, ajo u formua vetëm pak muaj pas formimit të LDK-së, si parti kombëtare shqiptare me parime e vlera që pikësynim kishte qytetërimin demokristian evropian dhe gjeti mbështetjen e vet edhe në vlerat, traditën historike, kulturore, qytetëruese, shpirtërore dhe kombëtare shqiptare, të cilat i bënë të mundshme asaj që të shndërrohet në një parti të tolerancës, të paqes, të dialogut, të respektit e solidaritetit të ndërsjellë, të pajtimit e mirëkuptimit kombëtar dhe të lirisë njerëzore, qytetare, politike e kombëtare.
Themelimi i PSHDK-së kishte edhe një arsye të veçantë, pasi që në atë kohë kishte marrë hov teza serbe, se në Kosovë përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kishin prirje thjesht fundamentaliste islamike. PSHDK-ja, e rrënoi këtë tezë serbe, sepse këtu bëhej fjalë për një komb që ka tri konfesione fetare, ku lidhjet e gjuhës dhe të gjakut janë më të forta sesa çdo lidhje tjetër.
PSHDK është parti kombëtare e qendrës së djathtë, që ka lindur nga filozofia mijëvjeçare e rezistencës së pamposhtur shqiptare për liri të njëmendtë shpirtërore, si parakusht të një lirie nacionale. Dihet mirëfilli se në Europën perëndimore partitë demokristiane në asnjë formë nuk janë parti fetare, por dihet se bazohen në një sistem vlerash politike që ka traditë demokracinë kristiane.
PSHDK-ja është një pjesë e demokristianizmit të madh, të kësaj lëvizje globale, njërës nga ma të mëdhatë në botë, që ka ndihmuar sidomos krijimin Unionit Europian dhe këtij kohezioni social që është krijuar në Europën e Bashkuar.
PSHDK-ja i përket Familjes së madhe demokristiane, që sot qeverisë kudo në Europën e bashkuar. Jemi Familja më e madhe dhe më e fuqishme në Evropë. Ne udhëhiqemi dhe kemi lider personin më të fuqishëm në Evropë. Lider i yni dhe i të gjithë Demokristianeve të Evropës është Kancelarja e Gjermanisë, znj. Angela Merkel.
Përgjatë viteve të saj në skenën politike, PSHDK-ja ishte një mburojë e fuqishme e identitetit europian të shqiptarëve dhe avancimit të çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Nëpërmjet saj, gjatë viteve të 90-ta dhe në bashkëpunim të plotë e të sinqertë me LDK-në dhe partitë tjera, u hapën rrugët për institucionalizimin e problemit të Kosovës.
PSHDK së bashku me LDK-në ka institucionalizuar shtetin paralel të Kosovës dhe ka qenë forca e dytë parlamentare para luftës së vitit 1999 në Kosovë. Me rastin e formimit të qeverisë Bukoshi kishte dy zëvendëskryeministra, në zgjedhjet 22 majit të vitit 1992 për Kuvendin dhe Kryetarin e Kosovës përfaqësohej me 6 deputetë, kurse në zgjedhjet e vitit 1998 në Parlamentin e Republikës së Kosovës kishte 12 deputetë dhe ka pasur nënkryetarin e Parlamentit të Kosovës.
Vizitat e shpeshta të Demokristianëve evropianë në Kosovë dhe vizitat ne Bruksel, Bern, Vjenë e Berlin të Demokristianëve të Kosovës dhe kontaktet e rregullta informative, tregojnë gatishmërinë për t’i ndihmuar Demokristianët e Kosovës.
Udhëtimi ynë me PSHDK-në ishte i gjatë për më se tri dekada, puna jonë në faza të caktuara ishte e shkëlqyer, ishim subjekti i dytë me anëtarësi pas LDK-së, por pati edhe dështime, sidomos kur PSHDK-ja, si parti e vlerave të traditës, parti e frymës dhe aspiratës evropiane, si një parti që ka një simbolikë dhe rëndësi të veçantë për vet shoqërinë dhe sistemin politik në Kosovë, pas lufte; mbetëm jashtë parlamentit.

● Jeni një emër i respektuar si mjek jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Shumë shpesh kemi takuar në Poliklinikën tuaj pacientë nga Shqipëria, Mali Zi, Maqedonia, por edhe nga Serbia dhe vende tjera. Cila është arsyeja që keni hyrë edhe në politikë? Këtë përfshirje në politikë e keni bërë jo me dëshirën tuaj. Pse?

Dr. Ukë Berisha: Unë nuk jetoj prej politikës falë punës sime si mjek. Politika nuk është, as nuk kam dëshiruar kurrë që të jetë preokupim profesional i imi. Angazhimi im ka qenë kundër vullnetit dhe interesit tim personal. Mirëpo, kjo ishte një mundësi për të dhënë një kontribut në proceset e mëdha që Kosova po kalonte. Unë jam përpjekur që të jap një kontribut sado të vogël për realizimin e të drejtave tona kombëtare, për të qenë populli ynë i lirë, i barabartë me popujt e tjerë, i pavarur dhe zot në shtëpinë e vet. Së bashku me Kryetarin Akad. Mark Krasniqin, jemi përpjekur brenda mundësive tona,pranë faktorëve politikë ndërkombëtarë në Washington, Bruksel, Vjenë, Romë, Bon, Bern, Londer, Paris, Berlin etj për t’i bindur se shqiptarët në Kosovë kanë të drejtë të vendosin vetë për fatin e tyre dhe se propaganda antishqiptare e okupatorit serb është një gënjeshtër, sepse populli shqiptar është shumë tolerant dhe nuk ka asgjë të përbashkët me terroristët e ndryshëm islamikë të Lindjes.
Unë nuk kam pasur kurrë ambicie politike as karrieriste në përgjithësi, më është ofruar posti i Ministrit të Shëndetësisë nga Presidenti Rugova në vitin 2004 po ashtu edhe ai Zëvendëskryeministrit nga Kryetari i PDK-së Kadri Veseli në vitin 2017 dhe nuk kam pranuar për shkak të angazhimit tim profesional si mjek, por kur është puna për interesin kombëtar, intelektuali shqiptar nuk guxon të rrijë duarkryq para tragjedisë së popullit të vet.
Qëllimi i përfshirjes time në politikë viteve të fundit, është që të kontribuoj në fuqizimin dhe përsosjen e orientimit perëndimor të Kosovës, sidomos pas degradimeve të mëdha dhe krizave identitare me të cilat po përballet vendi.
Angazhimi im në politikë ka qenë një mision ,,Për një Kosovë europiane për një Kosovë si krejt Europa”. Misioni im politik është përafrimi kulturor, ekonomik dhe social me perëndimin, duke krijuar një shoqëri të lirë, në të cilën drejtësia është për të gjithë dhe ku ka stabilitet të qëndrueshëm social.
Që nga fillimet e themeleve të pavarësisë së Kosovës nuk kam kursyer dijen, kohen e as mjetet financiare për ta vënë PSHDK-në si subjekt politik në interes për vendin, ashtu siç kam vepruar me rastin e themelimit të saj më 4 nëntor 1990.
E di shumë mirë ç’domethënë të drejtosh me dinjitet një forcë të vogël politike në këto troje, e vetmja në Kosovë që ndan të njëjtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristian-demokrate europiane. 30 vite të ekzistimit të PSHDK-së nuk janë pak për një lëvizje historike dhe evropiane që nis me At Gjergj Fishtën e madh, vijon me At Gjon Shllakun dhe i mbijeton diktaturës e torturës komuniste me At Zef Pllumin.
Gjatë këtyre 30 viteve, me PSHDK-në mora pjesë në të gjitha proceset e ecjes së Kosovës përpara, në të gjitha të arriturat e deritashme dhe në të gjitha segmentet e jetës së popullit tonë. Po e them këtë pasi isha personi kyç i të gjitha këtyre proceseve të rrugëtimit të PSHDK-së për këto 30 vite (unë jam njëri nga themeluesit e saj më 1990), për ruajtjen e idealit dhe frymës demokristiane në këto troje.
Së bashku me shokë kemi punuar aq sa kemi pasur mundësi për të ndritur këtë komb, ta vendosim nga një gur në murin e ndërtimit të një lirie shpirtërore, si parakusht të një lirie e emancipimi të përgjithshëm. Ne jemi krenarë për ndihmën tonë të rëndësishme që dhamë për Pavarësinë dhe përparimin e Kosovës.
Kosova mund të bëhet një shtet dinjitoz, me një fytyrë të re e besim të ri dhe unë do të angazhohem për ta dhënë kontributin tim. Të punojmë të gjithë pa dallim maksimalisht që Europën ta bëjmë atdhe të vlerave tona të përbashkëta.

Me një PSHDK e fortë dhe shteti i Kosovës do të jetë më i fortë.

● Këtë vit keni të paraparë mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, sa jeni përgatitur për organizimin e këtij Kuvendi?

Dr. Ukë Berisha: Më 8 shkurt 2020 Kryesia qendrore e PSHDK-së, pas shpalljes së zgjedhjeve në PSHDK më 03 korrik 2019 dhe në bazë të nenit 9 të Statutit të PSHDK-së, mori vendim, për mbajtjen e Kuvendit qendror zgjedhor të PSHDK-së më datë 11 prill 2020, ku edhe u emëruan të gjithë bartësit për përgatitjen e Kuvendit zgjedhor të PSHDK-së.
Mirëpo për shkak të ngjarjeve të fundit lidhur me virusin Covid-19 dhe duke i përcjellë urdhëresat dhe vendimet e institucioneve shëndetësore për situata të epidemive, në konsultim me KQZ-në, për shkaqe sigurie, për shkak të gjendjes së krijuar Kuvendi zgjedhor është shtyrë për muajin tetor. Ky kuvend zgjedhor ka edhe një simbolikë të veçantë pasi që mbahet me rastin e 30-vjetorit të formimit të PSHDK-së. E kam theksuar shpeshherë dhe dua ta theksoj dhe me këtë rast se, një PSHDK e fortë dhe shteti i Kosovës do të jetë më i fortë. Ashtu siç ishte me interes kombëtar themelimi i PSHDK-së më 1990, ashtu është dhe sot kjo parti me interes të jashtëzakonshëm, për ta ndërtuar demokracinë dhe shtetin ligjor të Republikës së Kosovës. Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, janë dëshmi e fuqishme se Kosovës i duhet PSHDK-ja e mirë organizuar, si një zë i ndërgjegjes dhe arsyes, që promovon modelin e demokracisë evropiane dhe njëkohësisht identitetin evropian të shqiptarëve, nëpërmjet kultivimit të frymës së Rilindjes, si burim frymëzimi për një Kosovë europiane.

Si parti kemi kaluar shumë sfida, nga të cilat edhe jemi dëmtuar, por me rëndësi është që i kemi tejkaluar.

● Çfarë pritni nga ky Kuvend zgjedhor?

Dr. Ukë Berisha: Si parti kemi kaluar shumë sfida, nga të cilat edhe jemi dëmtuar, por me rëndësi është që i kemi tejkaluar. PSHDK-ja është duke u konsoliduar dhe duke u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po bëhen për të rritur dhe fuqizuar PSHDK-në, si një subjekt me traditë në Kosovë, së shpejti edhe formalisht asaj pritet t’i bashkohen një numër i konsiderueshëm intelektualësh të rinj nga Kosova. Po ashtu, brenda PSHDK-së, pritet të krijohet së shpejti Grupi për politika dhe reforma, që do të jetë një organ këshilldhënës, me qëllim parësor, rritjen e PSHDK-së, konsolidimin e saj, si dhe implementimin në jetën tonë politike, arritjet më të mëdha të demokristianizmit, si filozofi shtetformuese, në themel të cilave janë vlerat historike, aktuale, dhe ato të perspektives demokristiane të qytetërimit te sotëm perëndimor, ku aspirojmë të integrohemi edhe ne. Nga ky Kuvend presim për të shtyrë idetë tona, për t’i dhënë kuptim vizionit për të ardhmen tone të përbashkët, për Kosovën si krejt Evropa.

● Me cilat të arritura do të prezantoni në këtë Kuvend ?

Dr. Ukë Berisha: Historia e re e Kosovës, është e mbushur me ngjarje dhe momente të rëndësishme, në të cilat Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm.
Maratona e vendit tonë për liri, ishte një betejë për ta bindur botën perëndimore, që ajo të kthej sytë nga Kosova. Në këtë betejë, jo të lehtë, demokristianëve ju është dashur shpeshherë të ishin në ballë, sepse me filozofinë e tyre politike, ata lidhnin të kaluarën me të tanishmen dhe hapnin portat për të ardhmen. Zëri ynë demokristian, ka qenë gjithnjë i pranishëm nëpër qendrat kryesore evropiane, duke e ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, për lirinë, demokracinë e pavarësinë e Kosovës. Pikërisht pse demokristianët ishin zë i fortë jashtë, duke e shquar vlerën kryesore kristiane, sikundër është solidariteti politik, social e kombëtar, në Kosovë PSHDK-ja fitoi besim të madh. Kësisoj, deri në kohën e luftës, në çastet e rënda historike, në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, demokristianët kishin 12 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Në ato çaste ishte ky një KONFIRMIM I KOSOVËS PËR PËRCAKTIM EUROPERËNDIMOR dhe zëri më i nuancuar në këtë drejtim, ku mbështetej besimi brenda dhe jashtë, ishte ai i PSHDK-së.
Vërtet PSHDK është partie e vogël, nuk ka shumë demokristianë në Kosovë pasi që mbi 50 % të tyre janë shpërngul në shtetet e ndryshme të Europës, Amerikës e Australisë pas luftës në Kosovë dhe askush se ka ngritë zërin se pse po shpërngulen? Por e vërteta është se janë demokristianët që përfaqësojnë vizionin unik shqiptar dhe europerëndimor.
Në Kuvendin zgjedhor me 26 maj 2012 kam premtuar se me punë të sinqertë dhe angazhim nga 4 parti demokristiane që ekzistonin në atë kohë në Kosovë do ti bashkoj në një parti të vetme. Sot në Kosovë ekziston vetëm një parti demokristiane, që ka një kryesi dhe një kryetar. Në këtë rrugëtim kemi pasur pengesa dhe ndërskamce të mëdha nga partitë e mëdha në pushtet e në veçanti nga AAK-ja, e cila përmes disa ,,katolikëve të ndershëm” ka përdorur çdo mjet për ta shuar këtë parti dhe këtë ideal demokristian në këto troje.
Në këtë rrugëtim, PSHDK-ja ka realizuar sidomos thellimin e bashkëpunimit me të gjitha partitë simotra demokristiane e popullore në Europë, e sidomos ato të Austrisë, Zvicrës, Gjermanisë, Suedisë, Holandës etj. Anëtarët tanë në diasporë kanë qenë në lista të partive demokristiane e popullore për deputet në shumë vende të Europës. Sot kemi anëtarë tanë nëpër asamble kantonale të këtyre vendeve e sidomos në Zvicër. Kryetari i demokristianëve të rinj të Kosovës z. Arion Thaqi ka kontakte të rregullta dhe vizita të ndërsjella me të gjithë demokristianët e rinj në Europë dhe më gjerë, si Armeni, Ukrainë etj.Shtrirja e Partisë në gjithë Kosovën do të jetë synimi ynë i përhershëm.

● Ju në zgjedhjet e fundit nacionale garuat si koalicion me LDK-në, çfarë vlerësimi mund t’i jepni garimit në këto zgjedhje?

Dr. Ukë Berisha: Koalicioni shumëvjeçar LDK-PSHDK ishte i mbështetur në vlera njerëzore e i bazuar në filozofinë politike e kombëtare të njeriut dhe arkitektit të shtetit sovran e modern të Republikës së Kosovës Presidentit Rugova dhe njeriut më besnik të tij Akademik Mark Krasniqit. Këto dy figura të rëndësishme i kanë bërë nder Kosovës dhe kombit të cilët kishin aleancë shumë të fuqishme, që i lidhi ideali i përbashkët: ,,Për një Kosovë të lirë e demokratike, për një Kosovë evropiane”.
Marshin e udhëtimit për kthimin në Familjen evropiane e nisi Presidenti Rugova, rrugë të cilën e kishim humbur, pas një mijë e një fatkeqësish, kombëtare, që vazhduan përgjatë 500 vjetëve të pushtimit otoman dhe 100 vjetëve të regjimit sllav.
Ky koalicion arriti të bëhet partnere e partive si motra në Evropë sidomos CVP në Zvicër, CDU-së në Gjermani dhe partive të tjera demokristiane e popullore dhe të ndikojë fuqishëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet më të larta të diplomacisë së Evropës perëndimore. Ky koalicion arriti të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës në gjithë botën dhe të sigurojë mbështetjen e vendeve më të fuqishme të demokracisë botërore, para së gjithash të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së.
LDK-ja, së bashku me PSHDK-në ishin dy partitë më të rëndësishme gjatë viteve të 90-ta në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Bashkudhëtimi me vite LDK-PSHDK ishte arsyeja që në zgjedhjet e fundit të jemi në një listë të përbashkët.
Ishim së bashku me LDK-në, por mungoi solidariteti vëllazëror politik në shumë drejtime.

●Edhe pse LDK-ja në koalicion me AAK dhe NISMA formuan Qeverinë, edhe pse ishit në koalicion me LDK-në, ju prapë se prapë mbetet pa përfaqësim në qeverisje?

Dr. Ukë Berisha: Në këto zgjedhje në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin dhe dy kandidatë të PSHDK-së, të cilët nuk kanë arritur të sigurojnë numër të mjaftueshëm të votave për t’u zgjedhur deputetë.
Pamundësia materiale për sigurimin e vëzhguesve për ruajtjen e votës, lufta e paskrupullt dhe e pistë e kandidatëve për t’ia grabitur votat njëri tjetrit, vjedhjen e votave brenda partisë, prishja e qëllimshme e fletëvotimeve, blerja e votave, pazaret e komisionarëve dhe vëzhguesve, kontrolla e infrastrukturës dhe logjistikës së partisë nga persona të caktuar, për qëllime të veta, bëri që të mbetemi jashtë Parlamentit.
Kundërshtarët më primitivë ishin brenda PSHDK-së që interesat individuale dhe klanore i vunë mbi ato të partisë, që nuk lanë mjet pa përdorë që për interesa të disa individëve të kriminalizuar “katolikë të ndershëm” dhe subjekteve tjera, ta dëmtojnë PSHDK-në, por PSHDK ka për ta fituar luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për interesa personale janë në gjendje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë dhe mbi çdo ideal. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj nga zemra votuesit besnikë të PSHDK-së, të cilët edhe pas kërcënimeve dhe propagandës së ndyrë kundër PSHDK-së na mbështetën.
Ishim së bashku me LDK-në, por mungoi solidariteti vëllazëror politik në shumë drejtime. Solidaritet vëllazëror ishte te bashkëveprimi solidar, politik, demokratik e kombëtar i presidentit Rugova. Sa ishte gjallë presidenti historik, Ibrahim Rugova, nuancë e rëndësishme kombëtare që përfaqëson PSHDK-ja ka qenë gjithnjë e përfaqësuar në segmentet kryesore institucionale të Kosovës qoftë në nivele lokale qoftë në nivele shtetërore.
Por pas vdekjes së tij, u shemb ky parim i shëndoshë kombëtar përfaqësimi, duke u shembur, kështu, edhe solidariteti i brendshëm kombëtar, edhe ai solidaritet i brendshëm, ku nuk përfillet më pjesa kombëtare shqiptare e konfesionit të krishterë. Kjo filozofi rugoviane mund të ripërtërihet me frymë të re të solidaritetit të përbashkët, pa ia pasur nevojën ndonjë nënshtrimi a shuarjeje të subjektit tonë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte aleatin kryesor deri në vdekjen e presidentit Rugova Partinë Shqiptare Demokristiane të Mark Krasniqit. Prandaj partia e Ibrahim Rugovës, duhet ta rikthejë në aleancë Partinë Shqiptare Demokristiane të Mark Krasniqit për shkak të imazhit të mirë që do të krijonte në Evropën Perëndimore e në SHBA, për shkak të programit të afërt, për shkak të frymës së theksuar kombëtare. LDK duhet ta ndihmojë e ta mbështesë PSHDK-në kudo.

Synime kryesore të PSHDK-së, janë vlerat fundamentale, si drejtësia sociale, liria e personit dhe solidariteti.

● Çfarë do të jetë platforma politike në fazën që vjen e PSHDK-së?

Dr. Ukë Berisha: Kuvendi i fundit që do të mbahet së shpejti është një shpresë e madhe për ndryshime pozitive. PSHDK-ja është subjekt politik që i ka kaluar tri dekada. Gjithnjë ka qenë subjekt politik që ka bartur peshën e përgjegjësisë së vet politike e kombëtare. Duke rrugëtuar me partitë tjera politike, PSHDK-ja ka qenë dhe është subjekt shumë i rëndësishëm, sepse është ura që ndërlidh më së miri Kosovën me Evropën.
Ne kemi vu dinjitetin e familjes dhe personit, në epiqendër të politikës tonë. Synime kryesore të PSHDK-së, janë vlerat fundamentale, si: drejtësia sociale, liria e personit dhe solidariteti. Këto vlera bazike, janë të formuara nga doktrina demokracisë kristiane, që është model i shoqërisë së Unionit Europian, aty ky aspirojmë të integrohemi si komb.
PSHDK-ja synon konsolidimin e mëtejmë të orientimit evropian të shqiptarëve dhe implementimin e vlerave themelore të demokracisë kristiane, të Lirisë, Drejtësisë dhe Solidaritetit dhe aplikimin e tyre në jetën politike dhe sociale të vendit tonë, si vlera fundamentale për një shoqëri të lirë, e formuar me përgjegjësi dhe barazi të qëndrueshme.

● Ju jeni parti e djathtë,edhe LDK është parti e djathtë, a do të vazhdoni rrugëtimin politik me këtë subjekt politik, meqenëse edhe kur ishit me PDK-në, edhe në zgjedhjet e fundit me LDK-në asnjëra nga këto parti formuese të qeverisë nuk iu përfaqësuan në qeverisje me asnjë ministri?

Dr. Ukë Berisha: Më herët kishim marrëveshje të nënshkruar me PDK-në e Kadri Veselit që në qeverinë e ardhshme PSHDK të përfaqësohet me një zëvendëskryemininistër e dy zëvendësministra, marrëveshje, e cila u realizua pjesërisht, ku PSHDK kishte dy zëvendësministra, një të diasporës z. Janez Frrokaj dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtm, z. Emanuel Demaj, i cili pas dorëheqjes së ministrit të Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, ishte ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Isa Mustafës.
Me kërkesë të partive demokristiane e popullore të Europës, CDU-së në Gjermani, CVP-së së Zvicrës e në veçanti të OVP-së së Kancelarit Sebastian Kurz në Austri, e sidomos sekretarit të Partive popullore në Bruksel Patrick Voller dhe gjithashtu të anëtarësisë në përgjithësi dhe diasporës në veçanti në zgjedhjet e 06 tetorit 2019 u bashkuam me LDK-në për ta kthyer partneritetin rugovian, për ta ringjallur atë frymë, si më parë në udhëtimet e përbashkëta. Hymë me besim dhe shpresë të madhe, se do ta kemi partneritet të sinqertë bashkëpunimi brenda edhe jashtë, si parti të djathta, por për fat të keq ajo nuk ndodhi. Por LDK, veproi si partitë tjera, nuk e do këtë bashkë-udhëtim, mori votat tona dhe nuk na ofroi asgjë.
Kemi pritë më tepër nga kryetar i LDK-së Isa Mustafa, që do të kemi partneritet të sinqertë, që do ta realizojë këtë bashkëpunim, premtimin që me ta të ecim bashkërisht. Një ecje e natyrshme e dy partive tona, që kanë të njëjtin koncept e vizion politik, siç ishte fryma e dikurshme rugoviane dhe e akademik Krasniqit. Sepse kjo frymë ishte e përqafuar nga anëtarësia e gjerë e të dy subjekteve.
Nëse LDK vazhdon me këtë heshtje dhe nuk na përgjigjet, e kemi të pamundur që të bindim anëtarësinë që të vazhdojmë së bashku në të ardhmen.
Pas vdekjes së Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, sulmet dhe tradhtitë nga subjektet e tjera politike, duke marrë votat e demokristianëve dhe duke mos realizuar marrëveshjet parazgjedhore dëmtuan shumë PSHDK-në. Mirëpo, prapë mbijetuam dhe sot jemi këtu pas 30 viteve.

● Kryetar i nderuar, a mund të na elaboroni se përse veprojnë në këtë mënyrë, kur dihet mirëfilli që sjelljet e tilla janë jashtë çdo etike politike, njerëzore?

Dr. Ukë Berisha: Partitë e mëdha janë të interesuara t’i shfrytëzojnë votat tona e mandej të mos i mbajnë premtimet, por t’i realizojnë interesat e tyre parciale e të veçanta. Marrin disa individë me emra kristianë, gjoja si përfaqësues, të cilët nuk janë anëtarë tanë, e të cilët na luftojnë pa mëshirë .E kanë gabim se ata nuk i përfaqësojnë demokristianët, por këta individë janë aty për t’i luftuar demokristianët. Ata përfaqësojnë partinë e tyre e jo PSHDK-në. Individët e veçantë tek partitë tjera mund të kenë këso bindjesh, por ata përbëjnë vetëm individin e jo vizionin unik shqiptar e demokristian.
Të tjerët kanë besimin e tyre te autoriteti i Kultit të liderit të tyre partiak, kurse PSHDK beson te Kulti i Vlerave. Ne jemi të interesuar të kemi përfaqësim tonin programor e politik e jo individë jashtë nesh.
Për ta realizuar bashkëpunimin e bashkudhëtimin me LDK-në në zgjedhjet e fundit, ne për herë të parë gjate këtyre 30-viteve nuk dolëm me siglën tonë, si kompromis bashkëpunimi, por dolëm me atë të LDK-së. Por për fat të keq mungoi gatishmëria e vullneti i LDK-së.
Ç’është e vërteta, që nga Ismail Qemali e deri te vdekja e presidentit Rugova, ishte një konsensus kombëtar, që në postet kryesore qeveritare e shtetërore, të përfaqësoheshin figura të shquara (simbolikisht) nga komunitetet shqiptare me përkatësi të ndryshme fetare. Le të shtrohet pyetja: përse u prish ky konsensus historik e kombëtar, demokratike e politik? Kush e shkatërroi? Në emër të shqiptarisë false?! Përse uniteti politik mund të arrihet me parti turke, myslimanësh boshnjakë, goranë, romë, ashkalinjsh, egjiptase etj., etj. (dikush tha: “unitet politik mysliman”) e jo, bie fjala, edhe me parti që paskan shtesën “DEMOKRISTIANË!?”
DEMOKRISTIANËT evropianë e kanë formuar e themeluar BE-në (bashkësinë Evropiane). PSHDK është nyja më suptile që e ndihmon Kosovën në këtë drejtim. Është identiteti euro-perëndimor i Kosovës. Kishte demokristianë, prandaj pati dhe ndërhyrje ndërkombëtare ushtarakisht në Kosovë… Afrimi me PSHDK-në (me PSHDK-në si mision historik e politik), bëhet me dashamirësi, me sjellje vëllazërore, me qëllimet më të mira kombëtare, e jo me arrogancë, me sulme e sharje.

Akademik Mark Krasniqi thoshte se PSHDK-ja është parti kombëtare shqiptare.

● Shpesh ju akuzojnë se jeni parti fetare dhe se shtesa fetare nxit edhe ekstremizmat tjerë fetarë, reaksionet tjera?

Dr. Ukë Berisha: Ka zëra, sidomos nga ata politikanë, deputetë e zyrtarë të proveniencës shqiptare të krishterë të partive tjera, se nuk duhet të ekzistojë Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës. Le të më lejohet të përkujtoj disa fakte: kur u themelua PSHDK më 1990, mbështetja kryesore ishte ajo e inteligjencies së afirmuar shqiptare, me emra të shquar akademikësh, profesorësh të Universitetit të Kosovës. PSHDK-ja kishte kryesinë më elitaren, më të përgatiturën e më të spikaturën që përbëhej nga elita e Kosovës, si akademik prof. dr. Mark Krasniqit, prof. dr. Gjergj Rrapi, ing. Lazër Krasniqi, prof. dr. Abdullah Karagdiu, prof. dr. Ymer Jaka, prof. dr. Engjëll Sedaj, prof. dr. Zejnullah Gruda, prof. dr. Kajmak Gazidede, prof. dr. Mustafë Bacaj, prof. dr. Xhemal Ahmeti, prof. dr. Jahja Dranqolli e shumë të tjerë, tregojnë për vlerat e saj.
Është interesant, pra, dhe tejet domethënëse se pikërisht mbështetja më e madhe ishte nga shqiptarët e besimit mysliman. Në atë kohë askush as që e ka thënë e as që ka menduar se kjo parti nuk i duhet Kosovës. Ishte e kundërta, domethënë ajo inteligjencie, ajo elitë politike intelektuale, e kanë menduar PSHDK-në si spektër politik që hap dyert për në Evropë, SHBA e për në botën perëndimore. Elita intelektuale e PSHDK-së ishte e përfaqësuar me këtë vizion. Akademik Mark Krasniqi thoshte se PSHDK është parti kombëtare shqiptare. Prandaj që në fillim ne e kemi atë emërtesën tonë kryesore “parti shqiptare”, kurse dy përbërësit tjerë, demokristiane dhe e Kosovës, vijnë në plan tjetër, janë nuanca politike që e begatojnë Kosovën dhe nuk e dëmtojnë, që e tregojnë një identitet politik e nacional. Kjo nuancë është nyja që na lidh me Evropën. Dhe ky vizion e strategji politike dha rezultatet e veta frytdhënëse tejet të rëndësishme për Kosovën. Por kanë ndryshuar gjërat në Kosovë, në atë kohë 95 % të popullatës në Kosovë deklaroheshin shqiptar dhe se Ati i tyre ishte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe nëna e tyre shenjtëresha Nënë Tereza dhe Kosova ishte vendi i shqipeve kurse sot Kosovë është …. Më duhet të theksoj se ka shembuj të panumërt të sjelljeve të ulëta të individëve, të partive të mëdha ndaj PSHDK-së, si dhe shumëfish nga partitë-pushtet të Kosovës, për ta defaktorizuar pafundësisht këtë demokristiane. Gjithsesi, veprimi i tillë, ka qenë antidemokratik, antishqiptar, anti-Kosovë dhe, gjithsesi, edhe antinjerëzor.
Duhet theksuar se ekziston një PSHDK, që përfaqëson një vizion politik e jo përfaqësim të shqiptarëve të besimit katolik, siç përfaqëson, bie fjala, një vizion të tillë partia CDU e Merkelit që udhëheq Gjermaninë. Para luftës, kur PSHDK ishte faktor, vetëm dega e PSHDK në Prishtinës kishte mbi 18 mijë anëtarë! Tash mezi ekziston si Bashkësi e degëve. Ne e kuptojmë realitetin e ri historik, shkuarjen te partitë tjera, por nuk e kuptojmë sjelljen dyfytyrëshe për ta shpërbërë e defaktorizuar PSHDK-në.
Mendoj,dhe nuk ka dyshim, se shumë më e drejtë është të thuhet se demokristianëve u duhet Kosova, e cila, më së shumti, nga pushtimi otoman, e deri në ditët e sotme, herë nga pak e herë më shumë, në forma dhe mënyrë të ndryshme, madje edhe me dhunë, u është uzurpuar ajo, dhe që nga ajo kohë, kristianët, që kryesisht janë dhe demokristianë, ishin, dhe ende, edhe sot e kësaj dite, me pak ndryshime, sikur janë qiraxhinj në tokën dhe vendin e tyre.
Jemi këtu, për t’ju rikujtuar se PSHDK-në dhe të ardhmen e saj kurrë s’mund ta marrë peng askush. Gjergj Fishta përpara gati një shekulli ka shkruar se: “Njeriu duron dhimbjen, duron fatkeqësitë, por e ka të vështirë të durojë pabesitë dhe thikën pas shpine, të ngulur nga ata që deri dje të përqafonin tuj të thirrë vëlla”.

● Shpesh në emër të krishterëve katolikë shqiptarë përpiqet politikisht t’i përfaqësojë Ipeshkvi i Kosovës? A keni bashkëpunim me Ipeshkvinë dhe sa jeni të kënaqur me këtë bashkëpunim?

Dr. Ukë Berisha: Siç dihet, politika dhe partia politike është e ndarë nga feja, ashtu siç është e ndarë nga pushteti edhe feja. Ne si PSHDK e kemi thënë se partia jonë nuk përfaqëson religjionin kristian ndër shqiptarë, por vlerat europerëndimore kristiane, për ta përforcuar trashëgiminë dhe identitetin tonë nacional. Prandaj nuk kemi dashur që ta prishim paktin laik me religjionin. Në këtë drejtim, po qe se Ipeshkvi e merr atë rol përfaqësues qoftë edhe të jetës politike, atëherë kemi vërejtjet tona. Në këso rastesh, do të na kujtohen ipeshkvij të së kaluarës, që ishin zëri i të vërtetës sonë, ishin të mishëruar me vuajtjet e fatin e popullit. Por tash, Ipeshkvi që përfaqëson besimtarët e tij, në fakt as që interesohet se cili është fati i tyre social, ekzistencial, apo, qoftë edhe politik e fetar, sepse religjionet kanë të drejtë të interesohen edhe për politikën, edhe për fatin e besimtarëve të tyre dhe të shprehin opinionet e tyre.
E vërteta është se PSHDK fare nuk ka bashkëpunim me Ipeshkvinë, sepse Ipeshkvia nuk është e interesuar të bashkëpunojë për të mirën e përbashkët. Interesimi i këtij Ipeshkvi është me disa kute, për mos me thënë figura e tij ngë një imazh dyfytyrësie: përbetohet e brengoset gjoja për fatin e besimtarëve, por ai është tejet më i interesuar për të vjelë para e financa nga besimtarët, sidomos nga diaspora ose duke u dhënë pas bizneseve për përfitime.
Defektet e këti Institucioni të lartë fetar, pra të Ipezhvisë së Koovës janë të shumta dhe të pajustifikueshme. Në vazhdën e shumë defekteve organizuese të Ipezhkvisë nuk mund anëshkalojmë veprimin e rrënimit të kulteve fetare me traditë dhe simbolikë të hershme, që identifikojnë vlera të trashëgimive historike, fetare e kulturore, si bie fjala rrënimin e Kishës së vjëtër Shën Ndou në Gllegjan të Pejës, e cila kishte një simbolikë të një së kaluare sa të dhimbshme po aq edhe tragjike, që lidhej me pushkatimin e martirit të fesë dhe të kombit, Atë Luigj Palajt, më 1913. Po ashtu kemi informacione për tendenca për rrënimin e Kishës Katolike në Ferizaj, e cila personifikohet me dy figurat më emblematike të kishës dhe kombit tonë, Dr. Dom Gaspër Gjinit dhe Imzot Nikë Prelës, të cilët një jetë të tërë ia kushtuan kishës dhe kombit. Prandaj, këto veprime nuk do t’i fal historiografia e kishës sonë, se ajo gjithherë flet më vonë.
Sjellja e tillë dhe qëndrimi i tillë e zbeh substancën ekzistenciale dhe identitare të këtyre besimtarëve. Krejt ndryshe ishte koha kur vepronte Imzit Nik Prela në frontin e përbashkët të rezistencës. Prandaj PSHDK si Demokraci Kristiane, do të duhej të kishte një marrëdhënie të veçantë me kishat e krishtera, por assesi “krahu i tyre politik”, ashtu sikundër zbatohet ky parim në Evropë. Demokracia Kristiane vlerëson ndarjen e shtetit dhe kishës, megjithatë Demokracia Kristiane dhe kishat ndajnë të njëjtat vlera. Ndër to bëjnë pjesë modeli i njeriut kristian, pranimi i dinjitetit individual të njeriut, respektimi i lirisë dhe i përgjegjësisë, mbrojtja e jetës së palindur, ruajtja e krijesës dhe vlera e veçantë e familjes, si njësia më e vogël e shoqërisë. Përveç kësaj kishat vlerësohen si instanca drejtuese etike dhe morale dhe si vende të nxitjes së shpirtit qytetar dhe të mirëqenies publike. Në kontekstin shqiptar, ky parim shtrihet si vëllazëri shqiptare e tolerancës së ndërsjellë vëllazërore ndërfetare.
Klasa politike e pasluftës vrau ëndrrat e shumë brezave shqiptarë, e vranë të ardhmen tonë, ku sot të rinjtë po ikin nga sytë këmbët.

● Cili është dallimi në mes ëndrrës që keni pasur për Kosovën pas mbërritjes së frymës së lirisë me realitetin e sotëm?

Dr. Ukë Berisha: E kishim një ëndërr, një vizion për një të ardhme më të mirë. Kam pritur se Kosovën pas lufte do ta udhëheqë elita intelektuale, me një bagazh të madh intelektual e kombëtar, por ndodhi e kundërta, Kosovën e udhëhoqën njerëzit e pa përgjegjshëm. Kishim synim orientimin evropian, të kemi zhvillim në ekonomi, kulturë, shëndetësi, arsim etj. Por këto vlera u degraduan. Klasa politike e pasluftës vrau ëndrrat e shumë brezave shqiptarë. E vranë të ardhmen tonë, ku sot të rinjtë po ikin nga sytë këmbët.
Qytetarët e Kosovës e kanë ndjerë se iu është grabitur ëndrra për një jetë më të mirë, me dinjitet dhe prosperitet në vendin e tyre. Sot, qytetarët e rraskapitur të Republikës së Kosovës, në mjerim e skamje e të dëshpëruar po e braktisin vendin e tyre, për të jetuar si krejt Europa dhe po ia mësyjnë drejt Perëndimit, atje ku i kanë orientuar shpresat për një të ardhme më të mirë. Nga paaftësia jonë, kemi humbur shumëçka. Duhet të këndellemi dhe të mendojmë, ku kemi qenë dhe ku jemi sot? Para dy dekadave, e gjithë bota demokratike dhe e përparuar ishte me ne. Sot, Kosova ndodhet para sfidave të shumëfishta, me një imazh të rrënuar ndërkombëtar dhe me një gjendje të mjerueshme brenda, si rezultat i një politike shkurtpamëse.
Statusi i Kosovës është i papërfunduar në skenën ndërkombëtare, e sidomos në BE dhe NATO si dy organizma ku Kosova dëshiron të integrohet. Jeta e qytetarëve të saj nuk është përmirësuar Kosova më së shumti përmendet për numrin e madh të emigrantëve ilegalë, për krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelin e lartë, për rritjen e ekstremizmit fetar, për shkuarjen e të rinjve në Siri dhe Irak.
Raportet e strukturave të BE-së, të brendshme dhe të jashtme, rreth Kosovës nxjerrin një konkludim jashtëzakonisht të rëndë: „Kosova paraqet rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së“. Në takimet që kemi me miqtë tanë në Europë na thonë haptas se Kosova edhe pas 20 viteve pas çlirimit vazhdon të jetë oazë e krimit të organizuar, korrupsionit dhe mossundimit të ligjit.
Heqjen e vizave do të ndodhë vetëm kur kosovarët ndryshojnë, kur krimi i organizuar nuk do të jetë në këtë nivel, kur Kosova nuk do të jetë më rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së. Kjo mund të arrihet kur ka vullnet politik, i cili për momentin mungon në Kosovë.

● Kosova ka disa parti politike, cili është, sipas jush, dallimi thelbësor në mes tyre?

Dr. Ukë Berisha: Skena politike në Kosovë është shumë pluraliste sa i përket numrit të subjekteve të regjistruara, të cilat nuk kanë një profil të qartë politik. LDK-ja, është e vetmja që deri më tash e ka pasur të qartë profilizimin e saj. Si parti e qendrës së djathtë ajo edhe është pranuar në familjen e partive të qendrës së djathtë në Evropë, i cili është grupimi më të madh politik në kontinentin e vjetër. Por parti të qendrës së djathtë veten e konsideron edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
PDK-ja në fillim perceptohej si parti e majtë, prej së cilës shumë veprimtarë të saj vinin nga radhët e ish-lëvizjes marksiste leniniste, e cila për një moment pas 13-viteve profilizohet si parti e qendrës së djathtë. Sot në Kosovë prej partive të mëdha vetëm VV mbetet parti e majtë.

● Çfarë mendoni për qeverinë aktuale të Republikës së Kosovës në krye me prof. dr. A. Hotin?

Dr. Ukë Berisha: Është qeveri e brishtë, me tensione të mëdha të brendshme. Niveli i demokracisë tonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës. Tash për tash mungesa e këtij dialogu rrezikon të zhbëjë parimin fundamental të jetës tonë politike, ta delegjitimojë vendimmarrjen dhe ta bëjë të pasuksesshme përpjekjen për të krijuar vend ku sundon ligji për të gjithë. Rruga jonë përpara duhet të trasohet me dialog të brendshëm, me strategji të qartë për të avancuar proceset tona integruese, si në raport me etnitë e tjera, qytetarë të Kosovës, ashtu edhe me vendet fqinje dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që qëndruan pranë nesh në periudhën tonë më të errët. Kompromiset janë të domosdoshme. Ta rivendosim konsensusin bazik për rrugën tonë përpara. Kjo rrugë nuk duhet ta përjashtojë askënd, sepse është rrugë e përbashkët deri në përmbylljen e përpjekjes tonë për ta konsoliduar Kosovën shtet. Kosova ka 21-vite, prej kur është çliruar nga Serbia dhe 12-vite prej kur është bërë shtet. Kjo kohë, do të duhej të ishte e mjaftueshme që Kosova ta qartësonte rrugën e vet dhe të ardhmen e saj, por kjo nuk ka ndodhur. Kosova ka bërë shumë pak në promovimin e shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar. Pa një vizion demokristian nuk ka se si Kosova të bëhet pjesë e integrimeve evropiane! (Ashtu sikundër ishte para luftës: pa demokristianët, nuk do të arrihej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës)!

● Realitetin politik në Kosovë sikur e ka pllakosur një kaos politik, si mund të dilet nga ky rreth i këtij kaosi politik që po mbretëron në Kosovë?

Dr. Ukë Berisha: Kambanat e alarmit kanë filluar të bien me të madhe për ata që kanë vesh. Këto momente të vështira për Kosovën duhet për të na vetëdijesuar të jemi më kritikë për rrugën e gabuar që kemi ndjekur deri më tani dhe të ecim vetëdijshëm përpara duke i përvetësuar e përafruar vlerat tona me ato perëndimore. Në këtë rrugëtim orientimi i Kosovës duhet të jetë i përcaktuar qartë. Nuk mund te jemi me perëndimin, nëse tërë kohën sillemi dhe veprojmë si antiperëndimorë! Me vdekjen e Ibrahim Rugovës, kam bindjen se ka vdekur edhe politika oksidentale në Kosove. Sot kemi një politikë që gojën e ka plot Europë, ndërkaq të gjitha veprimet që ushtrohen ngërthejnë një frymë aziatike! Kosova si një vend i vogël, pa ekonomi të zhvilluar, pa investime, me papunësi e probleme sociale te 3/4 e popullsisë, me probleme të arsimit, shëndetësisë, me krim ekonomik e korrupsion të lartë, ku ende nuk ushtrohet autoriteti shtetëror në rreth 25% të territorit, që rrezikohet të mbetet problem i pazgjidhur apo problem që rrezikon vetë Kosovën. Pozicioni politik i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare asnjëherë nuk është dobësuar më shumë se në këto vjetët e fundit. Shkaqet e këtij stagnimi duhet kërkuar te: grupet radikale dhe rritja marramendëse e fundamentalizmit islamik, ngjarjet e vitit 2004, mungesa e kulturës së shtetformimit demokratik, mungesa e vullnetit politik dhe vetëdijes kombëtare për bashkim të energjive pozitive, në të mirë të shtetit dhe interesit kombëtar. Rritja e ndjeshme e islamit politik si në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, paraqet rrezik dhe shqetësim. Islami politik është armiku ynë më i rrezikshëm kombëtar dhe nëse nuk merret seriozisht është një nga ato mekanizma që mund të na zhbëjë si komb, shumë më shpejt se sa ne mendojmë.
PSHDK-ja është e shqetësuar sidomos me ekspansionin neo-otoman që po ndodh aktualisht në Kosovë, edhe me bekimin e liderëve kosovarë. Kosova me vetëdije të plotë po ua hapë dyert politikave turke që të promovojnë agjendën neo-otomane, e cila ka për qëllim shtrirjen e influencës në ish-territoret e Perandorisë Osmane. Partitë politike në Kosovë kanë ndryshuar kursin properëndimor, duke mbështetë agjendën islamike të Erdoganit. Erdoganizmi me agjendën e islamit politik po helmon Kosovën. Sot në Kosovë kemi miliona investime te dyshimta të Erdoganit duke shfrytëzuar lidhjet e politikës kosovare me ato turke, në dhënien e aseteve kryesore familjarëve te Erdoganit, aeroportin dhe distribucionin e KEK-ut. Kjo tregon për agjendën turke dhe shtrirjen e ndikimit te saj ne Kosove, jo përmes ekonomisë as ndërtimit te fabrikave, por përmes agjendës Islamike.
Këto i krijojnë një pamje të shëmtuar në arenën ndërkombëtare Kosovës, që i japin argumente Serbisë e Rusisë dhe vendeve që e luftojnë pavarësinë e Kosovës, të na paraqesin si vend të rrezikshëm, në sy të komunitetit ndërkombëtar.
Demokristianët gjithmonë kanë qenë në gjendje dhe ditur t’iu thotë jo të fuqishme atyre që dinë të tallen me fatin e Kosovës. Demokristianët gjithmonë kanë ditur t’iu thonë “jo” të fuqishme atyre që për interesa të vogla, përbuzin identitetin kombëtar. Demokristianët prapë do t’iu thonë jo politikave nënçmuese për shqiptarët, e sidomos atyre që vijnë nga shkretëtirat aziatike, që thonë: Kosova është Turqi. Sot, më shumë se për çdo gjë, Kosova ka nevojë për të përcaktuar orientimin e saj të qartë kah Perëndimi, për idealet e së cilës luftuan Gjergj Kastrioti, Ipeshkvi Pjetër Bogdani, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Anton Çetta, Ibrahim Rugova e shumë e shumë të tjerë. Pa ta dhe shumë të tjerë, nuk ka komb shqiptar dhe të ardhme europiane. Ajo çfarë e ka shpëtuar dhe ka qenë një vlerë ndër shqiptarët ka qenë fakti i krijimit të një identiteti kombëtar, i cili ka dominuar mbi atë fetar. Bisedimet me Serbinë, Asociacioni me shumicë i komunave serbe, Gjykata speciale janë gjithashtu sfida të mëdha për Kosovën. Kosova shkon drejt një shteti të dështuar në të gjitha pikëpamjet. Këtij dështimi nuk duhet t’i japin krahë qytetarët.

● Ju jeni kryetar i PSHDK-së, çfarë force politike paraqet sot organizata që ju udhëhiqni, sa është e strukturuar dhe sa është shtrirja e saj?

Dr. Ukë Berisha: Demokristianët e patën zërin e tyre institucional e shtetëror derisa u shpall pavarësia, pastaj u defaktorizuan si forcë politike. Pa i kërkuar fajet jashtë demokristianëve apo brenda radhëve të PSHDK, vetëm le të dihet se Kosova ishte më e fortë, më stabile dhe më e sigurt, kur kishte një PSHDK të faktorizuar. Dhe kur partitë që qeverisin Kosovën, punuan që t’i lënë jashtë institucioneve demokristianët, punuan që ta defaktorizojnë PSHDK-në si forcë politike, ato në fakt e defaktorizuan vetë Kosovën, duke e dobësuar së tepërmi pozitën e saj brenda e jashtë. Pa demokristianët në jetën shtetërore politike, në Kosovë morën hov fenomene negative, si sulmet ndaj historisë sonë kombëtare, sulmet ndaj Nënës Tereze e Skënderbeut, u përhap në masë njëfarë erdoganizmi e prirje për neo-otomanizim të Kosovës në jetën ekonomike, politike e kulturore.

PSHDK-ja është e vetmja parti politike që ndanë të njëjtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate dhe demokristiane europiane.

● Cili është funksioni i PSHDK-së në diasporë, sa është e shtrirë PSHDK-ja në diasporë?

Dr. Ukë Berisha: Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës që nga themelimi para 30-viteve ka zhvilluar një partneritet të fuqishëm me partitë demokristiane që sot udhëheqin Evropën.
Një bashkëpunim që bëhet në nivel evropian, e që ekziston që nga themelimi, PSHDK ka me CDU-në në Gjermani, CVP-në, në Zvicër, OVP-në në Austri dhe partitë tjera në Europë, që i përkasin të njëjtës familje politike dhe ndajnë të njëjtat ideale e vlera civilizuese. Me këto parti kemi takime dhe informime të rregullta. Fryt i këtij bashkëpunimi të suksesshëm politik, në kuadër të politikave integruese është përfshirja e kandidatëve me origjinë shqiptare në listat e këtyre partive, sidomos me CVP-së për zgjedhjet federale në Zvicër të propozuar nga PSHDK-ja në Zvicër. Këta të rinj duke u angazhuar për vlerat e CVP-së, me të cilën ndajnë këtë vizion dhe këtë ëndërr të madhe, mund të japin më të mirën për CVP-në, e qytetarët zviceranë, duke eliminuar njëherë e mirë paragjykimet e krijuara për shqiptarët. PSHDK-ja është e vetmja parti politike që ndanë të njëjtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate dhe demokristiane europiane. Është shumë vështirë të mbijetojë një parti demokristiane në një klimë të tillë çfarë ekziston sot në Kosovë.
Rrethanat e rënda socio-ekonomike, por edhe politike i detyruan që të marrin rrugën e mërgimit me të vetmin qëllim që pjesëtarëve të mbetur të familjes në Kosovë t’ua sigurojnë ekzistencën dhe një jetë më të mirë.

● Çfarë mendimi keni rreth Marrëveshjes së Uashingtonit? Janë disa parti politike në Kosovë, të cilat po e kundërshtojnë këtë marrëveshje, sepse sipas vlerësimit të tyre marrëveshja e arritur në Uashington cenon sovranitetin e Kosovës dhe është në dëm të saj?

Dr. Ukë Berisha: Kjo marrëveshje, ka një rëndësi të madhe, sepse mund të jetë fillimi për të përmbyllë kapitullin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të hapë një kapitull të domosdoshëm të paqes në rajon. Ne konsiderojmë se çdo marrëveshje që nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe që nuk është në kundërshtim me legjislacionin e vendit, duhet pranuar si një zgjidhje të pranueshme. Në këto momente me rëndësi për vendin, i gjithë spektri politik duhet të shprehim unitetin tonë politik dhe qytetarë, në çështje kyçe të vendit dhe të kujtojmë se synimi dhe platforma jonë e përgjithshme për të qenë pjesë e strukturave perëndimore, sikur që janë BE-së, NATO-së, nuk mund të arrihen pa një stabilizim të përgjithshëm dhe afatgjatë te vendit. Për dialog politik me Serbinë duhet të ketë një seriozitet shumë më të madh dhe një konsensus sa më të gjerë të forcave politike në Kosovë, pasi që ky dialog do të sjellë pasoja të rënda për vendin. Rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe me ato të partnerëve strategjik SHBA-së dhe BE-së dhe të sigurohet njohja e ndërsjellë dhe ruajtje të karakterit unitar, me kufijtë ekzistues.
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës konsideron të mbyllur çështjen e kufijve të Kosovës një herë e përgjithmonë pas 17 Shkurtit 2008, kurse mbylljen e kësaj çështjeje e legalizoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me mendimin e saj këshillues se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, brenda kufijve ekzistues të mbi 100 shteteve. Në strategjinë e re të zgjerimit të BE-së theksohet se viti 2025 mund të jetë viti i anëtarësimit të Serbisë në këtë organizatë. Por, para se të anëtarësohet në BE, Beogradit i kërkohet të zgjidhë problemet me fqinjët, ndërsa me Kosovën në mënyrë specifike. Kapitulli 35 bën të qartë se Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Pra, procesi i integrimit të Serbisë në BE varet prej Kosovës. Kurse në strategjinë e zgjerimit të BE-së vihet në dukje se Kosova mund të përparojë në rrugën e integrimit europian, kur ta lejojnë rrethanat.
PSHDK-ja ishte ndër partitë e para politike, e cila duke pasur në ballë intelektualë të shquar e të dëshmuar, morën mbi supet e veta barrën e rikthimit të Kosovës në familjen e madhe evroperëndimore, e shkëputur padrejtësisht nga ky trung për shekuj me radhë.
Akademik Mark Krasniqi ishte dhe mbetet figura më emblematike e PSHDK-së dhe kombit.

● Dr. Berisha, këto ditë ish-kryetari shumëvjeçar i PSHDK-së, Akademik Mark Krasniqi, kishte jubileun e 100-të lindjes, ky jubile sikur kaloi në heshtje, pa asnjë aktivitet apo veprimtari.

Dr. Ukë Berisha: Po, këto ditë ishte përvjetori i 100-vjetorit të lindjes së ish-kryetarit shumëvjeçar të PSHDK-së dhe studiuesit të mirënjohur, Akademik Mark Krasniqit, një jubile tejet i rëndësishëm. Edhe pse shumë më herët kemi pasur planifikuar për një organizim të dinjitetshëm homazhi përkujtimor, mirëpo, për fat të keq, një organizim të planifikuar nuk patëm mundësi ta mbajmë. Janë disa faktorë që diktuan në mosmbajtjen e kësaj veprimtarie të rëndësishme. Si faktor kryesore ishte realiteti aktual i gjendjes së krijuar nga pandemia e virusit COVID -19 që ka shkatërruar globin. Dihen masat e ndërmarra nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës rreth përcaktimit të kritereve për organizimin e veprimtarive dhe aktivitetet të ndryshme, që përkufizojnë organizimin e këtyre veprimtareve. Ne nuk kemi hequr dorë nga organizimi i një përkujtimi për Akademik Mark Krasniqin, kurdo që do të krijohen kushtet ne do të përgatitemi për një eveniment çfarë edhe e meriton kjo figurë kolosale, jo vetëm e PSHDK-së, por edhe mbarë kombit. Organizimi i një eventi homazhi përkujtimor do të ishte një borxh modest kundrejt vlerave dhe meritave që ngërthen figura dhe veprimtaria shkencore, politike dhe atdhetare e Akademik Mark Krasniqit.
Veprimtaria e tij e suksesshme shkencore, politike dhe kombëtare dhe njohja e mirë e problemeve etimologjike, historike dhe sociale të shqiptarëve në Kosovë dhe hapësirat tjera tona, është shumë e rëndësishme dhe me interes shumëdimensional.
Akademik Mark Krasniqi ishte dhe mbetet figura më emblematike e PSHDK-së dhe kombit. Figura dhe emri i tij do të mbeten të përjetësuara në historiografinë tonë kombëtare.