Hi Tech

Inteligjenca artificiale që ende nuk e ndryshoi botën

Teksa po ecte Kursat Ceylan, që është i verbër, tentoi të gjente rrugën për në hotel. Përdori një aplikacion në telefonin e tij që ia tregoi rrugën, por në të njëjtën kohë duhej që t’i mbante në dorë shkopin dhe valixhen. Ai çau ballin, kur aplikacioni e shpiu drejt e në një pishinë.

Ky aksident e frymëzoi atë që bashkë me një bashkëpunëtor të tijin ta krijonte një shkop të ri inteligjent.

Ky shkop i vëren objektet që arrijnë deri në lartësi të belit dhe është i lidhur me aplikacionet “Google Maps” dhe “Alexan” të Amazonit. Me këto aplikacione përdoruesit mund të shtrojnë edhe pyetje.

Jean Marc Feghali, që ka ndihmuar në krijimin e shkopit, ka një problem me sytë. Nuk mund të shikojë kur drita nuk është aq e mirë. Ani pse deri më tani shkopi posedon funksionet bazë të inteligjencës artificiale, qëllimi është që “Wewalk” të përdorë informacionet e mbledhura nga xhiroskopi, akselerometri dhe kompasi, të instaluar brenda shkopit.

Krejt të dhënat do të përdoren pastaj që njerëzit ta kenë më të lehtë të kuptuarit e mënyrës së përdorimit të tij, si dhe për t’i dhënë vlerësime produktit më të sofistikuar, duke e përdorur makinerinë e mësimit (formë e avancuar e inteligjencës artificiale). Kjo do të përfshinte krijimin e një shërbimi zanor të inteligjencës artificiale, duke bashkëpunuar me “Microsoftin”.

Ky shërbim do t’u ndihmonte njerëzve që kanë probleme me shikimin ndërsa pajisja do të kishte një sistem të integruar për lidhje me internet.

“Nuk është thjesht një shkop i mençur. Pajisja mund të jetë e lidhur me rrjetin e transportit publik dhe veturat autonome”, ka thënë Feghali.

Shfaq më shumë