OPINION

Integriteti intelektual dhe jokonsistenca e akademikut Rexhep Qosja

Shkruan: Fadil SAHITI
Nuk është e lehtë të shkruhet rreth integritetit intelektual të dikujt që për shumëkënd konsiderohet “baba i kombit”. Jo sepse mund të jem i vogël, por për shkak se ambienti shoqëror në të cilin jetojmë, dominohet nga mentaliteti tribal.

Do të isha i lumtur sikur ky shkrim i imi të ishte i përqendruar në një analizë të ndonjë vepre të tij akademike. Kjo sepse ndonëse nuk i kam lexuar të gjitha, nuk mund të mos kem admirim për veprat e tij shkencore. Prodhimi i kaq shumë veprave shkencore kërkon angazhim absolut intelektual, e mbi të gjitha pasion dhe dashuri të madhe për kombin tënd. Krejt çfarë kam lexuar nga puna e tij është romani “Vdekja …” dhe “Morfologjia e ….”.

Të parën e pëlqej shumë, ndërkaq të dytën – ndonëse në kohën kur e kam lexuar kam qenë fare i ri – kurrë s’e kam pëlqyer. Vepra është e shkruar në frymën e ethosit të tij. Akademiku literalisht e shfryn mllefin e vet, “vret dhe asgjëson” intelektualisht shumë kolegë të tij të asaj kohe. Ai madje e fillon kritikën e tij duke i thur elozhe sistemit socialist vetëqeverisës, një qëndrim ky befasues për pretendimet e tij se kurrë s’ka qenë admirues i ish-sistemit politik komunist.

Të gjithë e dimë se arma e vetme e intelektualit është të bërit kritikë. Qosja e ka përdor këtë armë vazhdimisht, sidomos prej fundit të viteve ‘80-ta të shekullit të kaluar. S’ka si të mohohet fakti se zëri i tij ka qenë zëri i ndërgjegjes së kosovarëve. I ka bërë jehonë halleve dhe kërkesave politike të kosovarëve sa herë që ka mundur. Por, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë zëri i vetëm. Intelektualë të tjerë, si I. Rugova, e kanë bërë të njëjtën gjë. Ata që e mbajnë mend takimin e famshëm mes shkrimtarëve shqiptarë dhe serbë në vitin 1988, e kujtojnë fjalimin e z. Rugova. Të mohosh kontributin intelektual të I. Rugovës në atë kohë, shpërfaq një lloj meskiniteti, për të mos thënë një lloj autoritarizmi intelektual.

Kritika intelektuale e akademikut, pas luftës deformohet edhe më shumë. Duket kritikë pa integritet. Kjo sepse ai pa mëdyshje merr pozicion politik. Kritika e tij kryesisht përqendrohet në dy pika. Kritikon çdo gjë që është e lidhur me PD-në në Shqipëri dhe liderin e saj, si dhe LDK-në në Kosovë dhe liderin e saj. Kritika e tij mund të përmbajë shumë të vërteta, sepse, ta zëmë, gjendja e mjerueshme në shtetin shqiptar lidhet ngushtë edhe me keqqeverisjen e Berishës. Nuk ka përse të amnistohet fajësia politike as e këtij të fundit, ndonëse Rugova kurrë nuk ka pasë pushtet efektiv gjatë jetës së tij. Shumë mund të pajtohen edhe me kritikën e tij karshi liderit të sotëm të LDK-së, që dëshiron ta quajë veten Rugovë të dytë.

Por, ajo që e karakterizon kritikën akademike të Qosjes është jo-konsistenca. Asnjëherë (së paku unë nuk kam lexuar diçka të këtillë) nuk e ka ngrit zërin kundër kleptokracisë politike të instaluar në Kosovë nga viti 2008 (përjashto vitet e fundit kur të gjithë e kuptuam kush janë këta njerëz). Ai kurrë nuk ka folur, ta zëmë, për gjendjen mizerable në sistemin arsimor të Kosovës. Kurrë nuk e ka kundërshtuar hapur sistemin politik mafioz të instaluar në Shqipëri. Përkundrazi, jo rrallë i ka thurur elozhe Socialistëve dhe liderit të tyre. Edhe punën e dy akademive e ka vlerësuar me dy optika. Me të drejtë ka kritikuar ashpër politizimin dhe mospunën e Akademisë së Kosovës, gjersa asnjëherë nuk e ka bërë të njëjtën gjë për atë të Shqipërisë, anëtar i së cilës është edhe vet.

Vazhdoj të besoj se për gjendjen ku kemi rënë si shoqëri shqiptare nuk mund të fajësohet vetëm klasa politike. Faj të madh ka edhe shtresa intelektuale e kombit. Intelektualët e formatit të akademikut R. Qosja kanë dështuar të shërbejnë si ndërgjegje kritike. Dijen shkencore dhe intelektuale nuk e kanë vënë në funksion të së vërtetës, asaj që është e mirë dhe e drejtë në çdo situatë dhe në çdo kohë. Fatkeqësisht, dijen e tyre e kanë tregtuar si çdo mall tjetër, e shpërblimet që i kanë marr nga politikët nuk kanë qenë të vogla.

(Autori studimet për master i ka mbaruar në Universitetin Kurt Bösch. Doktoratën e ka nga Universiteti i Londrës – Birkbeck. Momentalisht jep mësim në RIT Kosovo (A.U.K), ndërkaq më parë ka ligjëruar në institucionet prestigjioze arsimore, si Birkbeck, London School of Economics dhe University College London)

Leave a Reply

Your email address will not be published.