Kombëtare

Institucionet nuk i investuan 60 mijë eurot e mbledhura në Brezovicë nga laura dhe taksa e vendosur

Pagesat e vizitorëve për të hyrë në Qendrën Turistike të Brezovicës, nuk janë shfrytëzuar ende për të bërë ndonjë investim në këtë pjesë.

Rreth 60 mijë euro është shuma e mbledhur nga këto pagesa, shumë kjo që ka shkuar në buxhetin e Kosovës. Përkundër kësaj, ata që e vizitojnë një pjesë të Parkut Nacional të “Sharrit”, hasin së pari në rrugë të paasfaltuar e me mbeturina të shumta.

Nga Ministria e Ambientit kanë thënë se qëllimi i vendosjes së laurave është mbrojtja e resurseve natyrore nga veprimet ilegale, si prerja e pyjeve, ndërtimet e paligjshme, gjuetia ilegale, si dhe degradimet e tjera, por edhe për përmirësimin e infrastrukturës.

Sipas këtij dikasteri, gjatë këtij viti është paraparë të bëhet rregullimi dhe asfaltimi i rrugës, e cila të dërgon në qendrën e skijimit në Brezovicë, raporton KOHA.

Por, situatë e njëjtë nuk është edhe në fillim të Parkut Nacional të Sharrit. Aty ku janë të ndërtuara shtëpi e vila të shumta, nuk mungon infrastruktura rrugore.

Përveç Brezovicës, laura të tilla janë vendosur edhe në vende të tjera turistike, si në Parkun Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ në Deçan , Lloqan dhe Junik dhe në Parkun Kombëtar “ Sharri” në Prevallë, por ato ende nuk janë funksionale.

Kjo, pasi që sipas Ministrisë së Ambientit ka mungesë të stafit të menaxhimit për këto laura.

Kundër vendosjes së taksës, në hyrje të fshatit turistik të Prevallës, janë qytetarët të cilët këtë të premte kishin ardhur për ta vizituar këtë pjesë.

E shkaku i kundërshtimeve të banorëve, sipas Ministrisë së Ekonomisë e Ambientit, përkundër planifikimit, nuk është vendosur laura në hyrje të Grykës së Rugovës.