Hi Tech

Instagrami u shpall luftë lajmeve të rreme

Instagrami i ka shpallur luftë lajmeve të rreme. Rrjeti social lejon tani përdoruesit të sinjalizojnë përmbajtjet që konsiderohen false. Funksioni, për momentin është i disponueshëm vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç nënvizohet nga sajti teknologjik Engadget, risia ka një funksion të dyfishtë: të ndihmojë Instagramin të individualizojë dezinformimin në platformë dhe të stërvitë algoritmet e inteligjencës artificiale të njohë falsitetet, transmeton TCH.

Fillimisht, rrjeti social do të përdorë sinjalizimet e përdoruesve dhe faktorë të tjerë, si për shembull sa i vjetër është një postim dhe aktivitetet e llogarisë që e ka gjeneruar, për të vlerësuar nëse një përmbajtje e caktuar duhet të kontrollohet thellësisht.

Shoqëritë që merren me verifikimin, janë të njëjtat që ekzaminojnë përmbajtjet në Facebook. Nëse një lajm i rremë konfirmohet, postimi nuk hiqet por bëhet i padukshëm në kërkime dhe injorohet nga seksioni ‘eksploro’.

Llogaria që e ka gjeneruar nuk merr asnjë njoftim kur një përmbajtje e saj është nën vëzhgim dhe nëse ajo konsiderohet false.