Kosova

Inspektorati Policor vendos kritere joligjore në tenderin për furnizim me jelekë antiplumb

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OShP) ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) që të ndërmarrë hapa për eliminim të shkeljeve ligjore të evidentuara në tenderin “Furnizim me jelekë antiplumb”.

Këtë obligim gjykata e tenderëve IPK-së ia ka dhënë pasi që e ka shpallur si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Sodex Grop” nga Prishtina. Vlera që Inspektorati ka parashikuar për këtë tender është 45 mijë euro, shkruan Koha Ditore.

OShP-ja ka kërkuar nga Inspektorati që brenda 10 ditësh ta njoftojë me shkrim panelin shqyrtues, lidhur me hapat që ka ndërmarrë pas vendimit të saj.

“Obligohet Autoriteti kontraktues Inspektorati Policor i Kosovës që t’i bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit, në pajtim me nenin 53.7 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe t’i marrë parasysh rekomandimet e ekspertes profesionale të prokurimit, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘furnizim me jelekë antiplumb’”, thuhet në vendimin e OShP-së.