Kombëtare

Inspektorati në Viti vëren se ka tendencë nga floktarët që të rihapin bizneset e tyre

Inspektorati komunal në Viti gjatë punës në teren ka vërejtur se ka tendencë nga ana e pronarëve që të rihapin bizneset e tyre përkundër që nuk kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtarinë biznesore në këtë kohë të pandemisë COVID -19.

Komuna e Vitisë qëndron ende në karantinë për shkak se janë shënuar raste të banorëve të cilët janë prekur nga koronavirusi dhe për këtë arsye janë ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë territor.

Ankesa në drejtim të inspektoratit komunal dhe kërkesa për rihapje të biznesit kanë floktarët.

Drejtori komunal i inspektoratit në këtë komunë, Skënder Ahmeti, deklaron se ata vazhdojnë me inspektimet e tyre në terren me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Ai thotë se nga puna në terren kanë ankesa nga një pjesë e bizneseve të cilët po kërkojnë me ngulm që të punojnë për një periudhë të shkurtë kohore. Megjithatë deklaron se kjo nuk do të tolerohet, raporton KOHA.

Thotë se maketet ushqimore, furrat dhe farmacitë vazhdojnë të qëndrojnë të hapura.

“Ka tendencë nga floktarët që të rihapin biznesin e tyre dhe të punojnë ngapak mirëpo u kemi treguar që nuk lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Por ata kanë ankesat e njëjta sepse po deklarojnë se kanë kërkesë nga klientët e tyre dhe dëshirojnë që të punojnë. Por, kemi sqaruar se veprimtaria e tyre paraqet rrezik ngase mund të preken nga virusi dhe të përhapet më pas. Kam kërkuar nga inspektorët që të vazhdojnë me inspektimet në terren dhe të mos lejohet rihapja e bizneseve. Gjithashtu ankesa kemi edhe nga këto bizneset e hekurishteve dhe nga bizneset që merren me shitjen e produkteve “Gjithçka nga 1 euro”. Mirëpo jemi të vendosur për zbatimin e vendimit”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk duhet të ketë kufizim të lëvizjes të qytetarëve. “Mbas orës 16 ku edhe po lejohen që të dalin qytetarët atëherë po kemi qarkullim të madh të njerëzve të cilët po dalin nëpër makete që të blejnë gjëra ushqimore dhe lëvizje tjera. Kjo është problematike sepse është rreziku më i madh kur ka qarkullim. Nuk e kemi problem të qëndrojmë në karantinë për aq sa kohë nevojitet një gjë e tillë por kufizimet po del se janë më problematike” ka thënë Ahmeti.

Ndërsa drejtoria e inspeksionit në Gjilan deklaron se janë duke vazhduar punën në inspektimin e bizneseve të cilat kanë të drejtë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

“Po jemi duke inspektuar ato biznese për masat mbrojtëse të cilat i kanë ndërmarr dhe aspekte tjera të cilat janë në fushën e përgjegjësitë tonë. Për aspekte tjera merren organet e rendit”, ka thënë drejtori komunal i inspeksionit, Nevzad Rushiti.

Ndryshe në raportin 24 orësh të policisë është nënvizuar se në Gjilan dhe Viti janë arrestuar 8 persona meqë të njëjtit kishin vepruar në kundërshtim me dispozitat shëndetësore të cilat janë shpallur me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në Gjilan është arrestuar një person i cili kishte lejuar që brenda lokalit të qëndrojnë klientë duke u shërbyer edhe pije e cila është në kundërshtim me masat mbrojtëse.

Me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje. Po ashtu janë arrestuar edhe 6 persona tjerë të cilët nuk kishin respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq në Viti është arrestuar një person i cili duke punuar në lokalin e tij kishte organizuar lojëra të fatit ku në këtë lokal qëndronin 7 persona. Me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.