Kombëtare

INPO: COVID -19 Prishtinën e vendos në situatë edhe më të rendë sa i përket shpenzimit të buxhetit për investime kapitale

Komuna e Prishtinës ka publikuar raportin financiar për periudhën janar-mars 2020.

Raporti vë në pah vështirësitë kronike të komunës së Prishtinës për të shpenzuar kategorinë e investimeve kapitale, ku në tremujorin e parë të vitit janë shpenzuar vetëm 0.93% e buxhetit të planifikuar, apo 2.25% më pak se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Madje, raporti thekson se pagesat për projektet kapitale janë të projekteve të bartura nga viti 2019. Për këtë periudhë raportuese komuna nuk ka nisur realizimin e asnjë projekti të planifikuar për vitin 2020.

INPO është e vetëdijshme se situata ka qenë dhe mbetet e pazakonshme si pasojë e Covid-19, dhe me këtë problem do të ballafaqohen të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, mirëpo vlerësojmë se më së shumti do të pësoj komuna e Prishtinës, pasi që kujtojmë se në vitin e kaluar nga kategoria e investimeve kapitale kësaj komune i kishin mbetur të pashpenzuara rreth 30 milion euro.

Sa i përket inkasimit të të hyrave vetanake, vërehet që ka një realizim të kënaqshëm. Në periudhën janar – mars 2020 komuna ka inkasuar 22.09% e të hyrave të planifikuara për këtë periudhë kohore, më një rritje të performancës së inkasimit për 1.68% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pra, duke pasur parasysh situatën e krijuar si pasojë e pandemisë, vlerësojmë se ka pasur inkasim t kënaqshëm.

INPO i bën thirrje dhe i rekomandon ekzekutivit të komunës së Prishtinës që urgjentisht të krijojnë një plan dinamik se si të ecet tutje me realizimin e projekteve kapitale, duke pas parasysh fatin së për këtë vit janë planifikuar të fillojnë realizimin rreth 100 projekte, që në mënyrë të drejtpërdrejtë mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të komunës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Pasi që me këtë ritëm të punës INPO dyshon se komuna do të arrijë të realizojë projektet e planifikuara dhe të ngrisë performancën e shpenzimit të kategorisë së investimeve kapitale.

INPO beson fuqishëm që ky rekomandim do të gjejë zbatim dhe do të adresohet nga komuna, ashtu sikur është adresuar rekomandimi për publikimin e raportit financiar janar – mars 2020.

“Ky botim është produkt i projektit “Komuna transparente dhe llogaridhënëse në kohë krizash pandemike”, projekt i implementuar nga Organizata INPO me mbështetjen financiare të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).”