EKONOMI

Iniciativë për ndryshimin e Ligjit për TVSh-në

Ministria e Financave ka marrë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për TVSh-në, dhe kjo për ta cilësohet si ndër reformat më të mëdha në këtë sektor, pasi për herë të parë mbledhja e të hyrave nga TVSh-ja në pikat doganore, do të kalojë në brendi të vendit, raporton KTV.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit po e shohin këtë si një hap të madh në ekonomi, pasi, sipas tyre, kjo gjë do të mundësojë rritjen e investimeve, si dhe hapjen e vende të reja të punës.

Mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) në pikat doganore gjatë importit të mallrave, vazhdimisht është parë si pengesë për bizneset.

Kjo ngase mbledhja e TVSh-së në kufi ka shtjerrë likuiditetin e kompanive importuese dhe ka pamundësuar që paratë të qarkullojnë para se të derdhen në buxhetin e shtetit. Për t’i evituar këto pengesa, është iniciuar edhe ndryshimi i Ligjit për TVSh-në.

Këshilltari i ministrit të Financave (MF), Lulzim Rafuna, tha se me ndryshimin e këtij Ligji mbledhja e TVSh-së nuk do të bëhet gjatë importit të mallrave, por do të bëhet vetëm pasi produkti të plasohet në treg.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, tha se do të duhen edhe trajnime shtesë për zyrtarët e këtij institucioni që të menaxhohet me sukses mbledhja e TVSh-së.

Për drejtorin Ekzekutiv të Odës Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, mbledhja e TVSh-së në brendi të vendit, do të thotë më shumë likuiditet dhe investime për biznese, si dhe më shumë vende të reja të punës për qytetarët.

Qeveria ka iniciuar ndryshimin e Ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe ky projektligj nëse miratohet, pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483