Kombëtare

Iniciativa për shkarkimin e presidentit thellon krizën politike në Shqipëri

Partia Socialiste ka nisur një proces me të cilin pretendon ta shkarkojë presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një veprim të paprecedent në Shqipëri që nga rrëzimi i komunizmit dhe tranzicioni demokratik i vendit.

Deputetët e Partisë Socialiste, të premten votuan dhe miratuan themelimin e një komisioni hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Komisioni hetimor, i cili u votua nga 97 deputetë në kuvendin me përbërje të vjetër dhe të bojkotuar nga partia opozitare Partia Demokratike, filloi punën të shtunën dhe miratoi një plan që ka për qëllim shkarkimin e Metës nga posti i presidentit.

Deputetët socialistë pretendojnë se presidenti Meta ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë.”

Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.

Iniciativa për shkarkim, sipas Kushtetutës, duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij ose 93 deputetë. Më pas, Kushtetuta parasheh që vendimi i kuvendit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila deklaron shkarkimin e presidentit kur vërteton fajësinë e tij.

Presidenti Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Meta është shprehur se prioritet i të gjitha subjekteve politike duhet të jetë hetimi i “krimeve zgjedhore”.

“Të përqendrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka përfunduar. Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit. Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund. Mos u merrni me ‘shashka’, por me hetimin e krimeve zgjedhore”, ka thënë presidenti Meta.

Në rast të shkarkimit, presidenti Meta do të bëhej presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.

Meta, një politikan veteran i skenës politike të Shqipërisë, u zgjodh president në vitin 2017 për një mandat pesëvjeçar.

Ndonëse anëtar i Partisë Socialiste për shumicën e karrierës së tij politike, ai ka ndarë rrugët me kryeministrin e deritanishëm të Shqipërisë, kreun e socialistëve, Edi Rama që nga viti 2004 për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), e cila për një kohë luajti rolin e faktorit vendimtar në krijimin e qeverive, si partia e tretë me peshë elektorale.

Megjithatë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, LSI-ja, e cila tani kryesohet nga bashkëshortja e presidentit Meta, Monika Kryemadhi, fitoi katër mandate nga 19 që kishte pasur në zgjedhjet e kaluara.

Partia Demokratike dhe LSI-ja deri më tani e kanë kontestuar rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 25 prillit, duke akuzuar Ramën për manipulim të elektoratit dhe blerje votash.

Nisma për të shkarkuar Metën është iniciativa e dytë që shkon në parlament. Të parën Partia Socialiste e ngriti pas dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, 2019. Ajo u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Sqarimin mbi akuzat e reja e ka bërë kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Ne nuk po e shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës, është një detyrim sa moral, aq edhe kushtetues. T’ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë, për t’ia lënë turpin Ilir Metës. Thirrja jonë shkon edhe për (liderin e Partisë Demokratike) Lulzim Bashën. Tashmë PD-ja ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë”, tha Balla të premten në kuvend.

Dilemë më vete në këtë proces është se a duhej kjo iniciativë të nisej nga kuvendi dhe deputetët në largim apo nga kuvendi i ri që do të krijohet në muajin shtator nga zgjedhjet e 25 prillit, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të procesit zgjedhor.

Në kuvendin paraprak, Partia Socialiste ka pasur 74 deputetë, ndërkohë që në kuvendin e ri kjo parti fitoi përsëri 74 ulëse sipas rezultateve preliminare. Për të shtyrë tutje iniciativën për shkarkimin e presidentit në legjislaturën e re, sipas Kushtetutës, nevojitet përkrahje nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Vendimi i kuvendit më pas i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që është pjesë kyçe e procesit të shkarkimit të presidentit, pas një krize të gjatë mosfunksionimi, ka filluar punën në janar të këtij viti, ndonëse ende nuk është e kompletuar plotësisht.

Debati rreth presidentit vazhdon të thellojë krizën politike në Shqipëri, e cila u manifestua edhe gjatë procesit zgjedhor që u mbajt nën tensione të larta paraelektorale.

Gjatë tërë tranzicionit të saj demokratik, Shqipëria është përshkruar nga polarizimi politik që shpesh ka minuar reformat e përgjithshme dhe ka nënvlerësuar ambicien e Shqipërisë për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian.