INTERVISTA

Infrastruktura e mediave në Kosovë

                                                 

Ju ftojmë ta ndiqni intervistën me studiuesin e mediave i cili një kohë ka punuar edhe gazetar z.Herolind Rama!

Z.Rama faleminderit që pranuat të intervistoheni nga portali ynë Kosova.info. 

  1. Si e shihni fillimisht zhvillimin e mediave në Kosovë sidomos nga përfundimi i luftës 99-së e së këndejmi?

Faleminderit për mundësinë që të kontribuojmë sado pak në sferën e mediave.  

Zhvillimin e mediave që nga përfundimi i luftës e tutje e shoh me hapa të ngadalshëm në progresin e tyre përmbajtësor, profesional dhe etik, por në kuptimin sasior kemi shënuar rritje enorme, sidomos të portaleve qofshin ato me adresë apo pa adresë. Sigurisht faza e tranzicionit si shtet ka ndikuar pak a shumë në këtë aspekt dhe kjo po ndodh edhe më tej, si shkak se nuk e kemi të rregulluar sa duhet infrastrukturën ligjore dhe mbikëqyrjen strikte ndaj atyre portaleve të cilat janë me adresa fantome.

Sot mjafton ta kesh një hapësirë të vogël dhe të bësh “gazetari” pa u lodhur fare, duke e përdorur versionin copy-paste dhe as pa e çarë kokën për vërtetësinë e lajmit. Në këtë rrjedh sigurisht mund të cenohet jo rrallëherë e drejta e autorit.

Një problem tjetër që e kam përmendur më herët, por që më duhet ta përmend prapë është se disa prej titujve të mediave, po bien ndesh apo në disproporcion me tekstin e një shkrimi të caktuar në emër të klikimeve. Sipas meje kjo më së paku i shërben një gazetarie të mirëfilltë, objektive, të saktë dhe të drejtë!

2. A duhet që në shkolla fillore dhe të mesme ta kemi si lëndë “Edukimin medial”?

Patjetër se duhet ta kemi si lëndë “Edukimin Medial” në kurrikulat të ciklit fillor dhe atij të mesëm. Siç jam në dijeni nga Departamenti i Gazetarisë i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës ka pasur përpjekje tash e sa vjet për ta futur si lëndë zgjedhore në të dyja nivelet e lartëcekura, por që deri tani nuk kanë hasur në mirëkuptim nga ana Ministrisë së Arsimit, përveç disa premtimeve momentale që janë dhënë nga kjo e fundit se është më së e nevojshme futja e kësaj lënde nëpër shkollat tona. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit në krye me ministren Hykmete Bajrami, që ta ketë në prioritet përgjatë këtij viti. Nxënësit gjithsesi se kanë nevojë ta marrin një edukim dhe mësim sa më të dobishëm për përmbajtjen e mediave në përgjithësi.

3. Çfarë roli luajnë mediat në Kosovë karshi politikës?

Mediat te ne sot më shumë i gjen në dy tabore, se sa në tre tabore. Pse them kështu? Arsyeja e kësaj qëndron në atë se disa prej tyre i kemi kritike të ashpra ndaj qeverisë e disa ndaj opozitës, vështirë se ta gjesh mesin e artë. Ato normalisht se në shumicën e rasteve luajnë rol konstruktiv, pa përjashtuar edhe atë destruktiv.

Jo çdo vendim i politikës duhet të shihet me paragjykim dhe me doza skepticizmi nga disa prej mediave tona. Gazetari profesionale cilësohet ajo gazetari e cila kur ka vend për kritikë kritikon çdo herë, kurse kur ka vend për moskritikë nuk kritikon asnjëherë, por e legjitimon të mirën e përgjithshme.

4. A duhet gazetarët të jenë të mbrojtur nga shteti që puna e tyre të jetë sa më e  pavarur?

Shteti e ka për obligim të ofrojë ambient të sigurtë për gazetarët dhe të vihet në funksion të punës dhe pavarësisë së tyre. Gazetarët duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga oponent të ndryshëm qofshin ata të politikës apo të biznesit. Jemi duke jetuar në demokraci, ku çdokush ka të drejtë ta shpreh mendimin e vet dhe ta kryej punën e tij/saj me nder dhe krenari. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, madje as vet gazetarët.

5. A duhet secili medium qoftë ai privat apo publik ( TV-të, gazetat, radiot, mediat elektronike) te jenë me kontratë pune dhe me rroga fikse për gazetarët?

Kjo po që nuk don diskutim, por që fatkeqsisht gjendja e tanishme e cila po mbretëron në disa prej mediave lë për të dëshiruar në këtë segment. Pa rroga të dinjitshme dhe kontrata pune, nuk mund të pretendojmë se po bëjmë fare gazetari. Ideja me u tall me punëtorin në saje të punës që bën, s’ka më keq se kaq. Nuk bëhet gazetari duke përfituar nga puna e tjetrit apo duke e arsyetuar veprimin kinse në emër të praktikës jam duke të mbajtur ende në medium, derisa një ditë të më mbushet mendja të ndali në punë apo në anën tjetër të them një ditë prej ditëve shko në shtëpi se kaq ishte kontributi yt tremujor. Inspektoriati i Punës duhet të jetë më i vëmendshëm për t’i monitoruar mediat nga afër, se sa i zbatojnë kontratat e punës ndaj punëtorëve të tyre.

6. Z. Rama e kemi parë që keni marrë pjesë në një konferencë me tematikën: “Disicon” ku për qëllim ishte dezinformimi. Çfarë në fakt u diskutua aty dhe cili ishte përfundimi në lidhje me këtë temë?

Po është e vërtetë isha në vitin paraprak pjesë e kësaj konference, përkatësisht me datën 10 dhjetor me ftesën e National Democratic Intitute (NDI). Isha i nderuar që të jem në mesin e shumë pjesëmarrësve për të përfituar njohuri të reja rreth dezinformimit që e bëjnë një pjesë e mediave jo kredibile kohë pas kohe, pa i përjashtuar ato të rajonit dhe më gjerë. Aty pati participim nga shumë akterë të mediave dhe politikanë të cilët folën me theks të veçantë për këtë çështje shumë të ndjeshme dhe aktuale në botën e internetit. Shembujt që i morën trajnerët ishin tejet aktual me realitetin të cilin e përjetojmë çdo ditë nga informatat e shumta e që në sasi nuk janë të pakta. Theksi u vu te shumë faqe që mirëmbahen nga militantë partiakë e që për synim e kanë t’i deskreditojnë rivalët e tyre politikë. Në fund pati dakordim të plotë që kjo temë duhet të diskutohet sa më shumë dhe të rregullohet në formën më të mirë të mundshme.

Intervistoi: Bekim D. Olluri

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483