Kosova

Infektiva pa elemente higjienike, flasin nga SHSKUK

Infermierët janë ankuar për mungesë të shampos dhe elementeve tjera higjienike brenda Infektives.

Brenda kësaj Klinike, janë një numër i madh i personelit shëndetësor e infermierëve.

Ata po kujdesen për 120 pacientët e shtrirë të prekur me Covid 19.

Aty, hyjnë edhe familjarët e pacientëve, që kujdesën për ta here pas here.

Stafi shëndetësor e infermierët menjëherë pasi të kryejnë ndërrimin shkojnë në shtëpi tek familjarët e tyre.

Por mbajtjen e higjienës para se të shkojnë në shtëpi, së fundmi e patën të pamundur infermierët e kësaj Klinikë.

Kryetari i sindikatës së infermierëve Fitim Havolli  ka deklaruar se gjatë vikendit në këtë Klinikë pati mungesë të kushteve elementare për higjienë.

Këto ankesë ky i fundit ia drejtoi Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Fitim Havolli, infermier në Klinikën Infektive

‘’ Thirrje publike për çdo ditë, gojën plotë këshilla ministri i Shëndetësisë për higjienë personale, larja  e duarve pas çdo kontakti, me çka ministër me bërë larjen e duarëve? Deri sa aspekti higjenik është shumë me rendësi, larja e duarve, po ja bëjë me dije Ministrit të shëndetësisë z Vitia,  se as gjërat më elementare prej që keni ardhur si ministër nuk po i posedojmë ne si profesionist e punëtorë shëndetësor. Shampon dhe letër për tharjen e duarve nuk kemi në gjithë vikendin, a thu çka është ka ndodh në këtë vend!’’

Televizioni T7 ka vizituar gjatë të Hënës Klinikën Infektive, pikërisht për të konfirmuar këtë ankesë të infermierëve.

Në tualetet e kësaj klinike edhe gjatë të Hënës u pa që nuk kishte shampo për duar e letra higjienike për tharjen e duarve.

Këto elemente higjienike, më pas u panë të mbërrijnë mesditën e së Hënës.

Televizioni ka pyetur ushtruesin e detyrës së drejtorit në këtë Klinikë, Izet Sadikun në lidhje me këto mungesa.

Infektologu Sadiku ka mohuar që kjo Klinikë përballet shpesh me mungesa të tilla.

Nderkohë infermieria në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, Bulë Elezi thotë se mungesa të tilla në Klinikat e QKUK-së ka pasur gjithnjë.

Por në këtë kohë të pandemisë, ajo këshillon që stafi shëndetësor të ketë kujdes në shpenzimin e tyre.

Të pyetur nga T7, Ministria e Shëndetësisë, kanë mohuar se bëjnë furnizimin e SHSKUK-së me material shpenzues.

Ministria e Shëndetësisë

‘’Ka disa vjet qe MSh furnizon Kujdesin Paresor Shendetesor me barna dhe material shpenzues dhe disa programe te veçanta (te sëmurët me skleroze multiple, Tb, vaksinimi..), ndërkohe qe furnizimet ne SHSKUK dhe spitalet e përgjithshme me barna e material shpenzues behën përmes vet SHSKUK-së sipas kontratave që i kane.’’

Përgjigje për këto mungesa kanë kthyer SHSKUK.

Ata i kanë thënë televizionit se Qkuk në vazhdimësi furnizon klinikat me letër higjienike dhe shampo të cilat shpërndahen sipas kërkesave të klinikave.

Në përgjigjje shtojnë se për shkak të rritjes së numrit të pacienteve ka pasur rritje të shpenzimeve por furnizimet janë të rregullta për të gjitha klinikat e QKUK-së.