Kosova

Incidentet e Bahtirit dhe Bulliqit, Kusari i quan të papranueshme

Kandidatja për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, i ka quajtur të papranueshme sjelljet e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit, ku në një video dëgjohet duke sharë gjatë një tubimi të VV-së dhe atij të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqit, ku shihet duke u ballafaquar me një qytetar.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Kusari ka thënë nëse udhëheqësit e institucioneve nuk janë në gjendje të vetëpërmbahen, atëherë si mund t’u kërkohet një gjë e tillë fëmijëve nëpër shkolla.

“As njëra e as tjetra nuk përkojnë me standardin e pranueshëm të sjelljes – janë të dyja të papranueshme edhe pse nuk po i di rrethanat. Për të qenë korrekte, tek rasti Bulliqi nuk dëgjohet se çfarë ka qenë debati. Fizikisht shihet lëvizja e trupit, por nuk dëgjohet se çfarë ishte shkaktari”.

“Në të dyja rastet: [1] Bahtiri ka kërkuar falje pastaj e ka postuar edhe një fotografi me personin në fjalë në kabinetin e tij të nesërmen”. [2] Bulliqi, nuk e di se çka ka ndodh aty në mes, por prapë si kryetar i Komunës përgjegjësitë janë shumë më të mëdha sesa vetëm shprehja e emocionit qoftë në sulm verbal apo fizik”.

Sipas saj, këto raste duhet të jenë një lloj alarm vetëkontrolli për Bahtirin, Bulliqin dhe të gjithë të tjerët.

“Nuk ka arsye për faktin se ata që janë në pozita vendimmarrëse dhe japin një model të tillë. Ne kemi pasur dhunë edhe nëpër shkolla – therje dhe vdekje”.

“Ata që janë në pozitë, kur nuk janë në gjendje të vetëpërmbahen; atëherë si mund t’iu kërkojmë një gjë të tillë fëmijëve”.

“Të gjithë ne që kemi marrë pozita dhe që e kërkojmë votën, duhet të kemi dyfish më shumë vëmendje që në asnjë rast të mos prezantojmë se ne kemi problem me kontrollim të nervozes”.

E pyetur se si do të reagonte nëse dikush do ta fyente atë, ajo ka thënë se nuk është në natyrën e saj që ta humbas kontrollin.

“Nuk është në natyrën time të sulmoj, unë kam pasur situata edhe kur jam kërcënuar. Uroj që kurrë mos ta humbas sensin që të tentoj ta godas dikë – nuk është në natyrën time”.