OPINION

In memoriam Lekë GOJÇAJ/ Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim – Lekë GOJÇAJ

Shkruan: Don Lush GJERGJI
Ky njeri, shqiptar, i krishterë, familjar, së bashku me vëllanë tashmë të ndjerin Pash Gojçaj (2018), ishte i shquar dhe dalluar si mërgimtar në SHBA-në, jo vetëm për punë dhe sukses personal, familjar, por mbi të gjitha për angazhimin dhe veprimin në dobi të çështjes tonë kombëtare shqiptare. Ishte “njeri zotni”, si thotë Populli ynë, me tipare, karakteristika dhe virtyte të veçanta dalluese dhe treguese: mikrpritës, bujar, gojtar, traditor, guximtar, largëpamës, mbi të gjitha shpirtbardhë dhe zemërmirë.

Çdo takim, ndejë, bisedim, veprimtari me të ishte një kënaqësi dhe begati, dhuratë e Zotit, sa që të “detyronte” ta duash dhe ta nderosh një Njeri të traditës tonë shqiptare – “malësore”, por edhe të kohës dhe rrethit ku jetonte dhe vepronte, pra, të aktualitetit tonë.

Qysh nga vitet 90-të, kur Shqipëria së fundi ishte hapur pas diktaturës së egër komuniste – ateiste, ndërsa Kosova ishte në gjendje tejet të vështirë, shumë të rrezikshme, me batica dhe zbatica të paparapara, me rreziqe të ndryeshme, me thyerje të mëdha politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore, vëllazërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ndër të parët nga SHBA-ja u bashkërenditen me prijësin tonë historic Dr. Ibrahim Rugovën në kërkimin e zgjidhjes me mjete paqësore jo-dhunore.

Ata së shpejti u bënë bashkëpunëtorë dhe përkrahës të tij, të Popullit tonë në Kosovë dhe më gjerë. Njohuritë, pasuritë, jetën, miqësitë e tyre i vunë në shërbim të të mires së përbashkët, të mbijetesës sonë, dhe një pjesë të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë, ia kushtuan bashkëpunimit me miqtë tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke dhënë gjithnjë dhe gjthçka ishin dhe kishin për Popullin tonë. Mishërimi i kësaj strategjie dhe bamirësie erdhi në shprehje nëpërmjet Nënës Tereze, si pasojë e logjikshme dhe natyrore e nderimit, falenderimit dhe imitimit të saj në botën tonë shqiptare. Vëllezërit Lekë dhe Pashk GOJÇAJ, të frymëzuar nga feja dhe të përkrahur nga Dashuria në zbatim, ata i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, me shtatoret e Nënës Tereze.

Nëpërmjet kësaj, edhe më mirë të themi, ata mbushën shumë mendje dhe zemra me vlerat dhe virytet e saja – tona, me traditë dhe lashtësi shekullore ilire, arbërore dhe shqiptare. Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegjie, sepse ata edhe më shumë kanë dëshmuar fisnikënërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.

Dhe së fundi angazhimi në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që ishte sfidë për të gjithë ne, për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj ishin rast i mire i bashklëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë se çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje, që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri.

Edhe në këtë fushëveprim vëllazërit Lekë dhe Pashk Gojçaj nuk kursyen asgjë, për të qenë pjesë aktive dhe bamirëse, si bijë shpirtëror të Shën Nënës Tereze, të Popullit tonë. Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të dioqezës Prizren – Prishtinë (të Kosovës), të klerit dhe besimtarëve tanë, shprehim ngushëllimet tona të krishtera, të përcjellura me nderime, falenderime, uratë dhe dashuri. Për këto dhe shumë vepra tjera të mira, që Zoti i di dhe I shpërblen, të ndjerin Lekë Gojçaj e shpërbleftë me paqe, dritë, jetë dhe lumturi të amshuar, ndërsa familjen e dashur dhe të nderuar Gojçaj, miqtë dhe dashamirët e tyre dhe tanë, me ngushëllime të krishtera. Kush mbjellë në dashuri, do të korrë në lumturi. Pushoftë në paqe!/ Kosova.info

Prishtinë, 5 gusht 2020 Don Lush GJERGJI

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483