OPINION

Importi paralel në Kosovë dhe shkelja e markave tregtare

Shkruan: Visar KASTRATI
Në Kosovë ka një numër të madh të kompanive të cilat janë distributor të autorizuar të brendeve të njohura ndërkombëtare dhe këto produkte i sjellin në Kosovë përmes marrëveshjes ekskluzive që kanë me prodhuesit apo me selitë e tyre në vendet e Evropës apo të Ballkanit.

Këto kompani kanë vlerë për tregun e Kosovës, pasi sjellin produkte të konsumit dhe produkte të tjera si elektronike apo të veshjeve (tekstilit) dhe ju mundësojnë qytetarëve (konsumatorëve) të pajisen me mallra cilësore, pa pasur nevojë t’i blejnë jashtë vendit përmes rrugëve më të kushtueshme. Jo rastësisht, të gjithë qytetarëve ju tërheqin vëmendjen markat si APPLE, SHELL, KFC, KING BURGER etj., të cilat sjellin një siguri për konsumatorët për shkak të cilësisë së produkteve.

Një dilemë e madhe, e cila qarkullon në lidhje me këto brende, është se a janë të cilësisë së njëjtë sikurse ato të tregjet evropiane, dhe përgjigja është po, pasi asnjë kompani si SHELL, P&G, Marlboro etj., nuk degradojnë vlerat e produkteve të tyre për një treg të vogël siç është Kosova. Këto brende janë marka të njohura dhe janë të regjistruara si marka tregtare në nivel vendi, por edhe në nivel ndërkombëtar sipas marrëveshjes së Nicës, si dhe atë të Madridit, të cilat janë marrëveshjet më të rëndësishme në fushën e trade mark.

Në Kosovë është krijuar baza ligjore, mjaft e mirë, për mbrojtjen e markave tregtare dhe kanë hyrë në fuqi një mori ligjesh, si ai për mbrojtjen e markave tregtare, dizajnit industrial dhe patentave. Deri më tani, Kosova nuk ka arritur të përfshihet në marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare si ajo e Nicës dhe e Madridit, për të pasur vlerë aplikacioni dhe regjistrimi në vendet anëtare të këtyre marrëveshjeve, rrjedhimisht regjistrimi i markës vlen vetëm për territorin e Kosovës. Secili pronar i markës është i obliguar ta krijoj të drejtën e mbrojtjes, ta regjistroj markën në Kosovë, që të ketë efekt padia për ndalim të shkeljes së saj, në të kundërtën padia do të refuzohet.

Markat tregtare, në kuptimin e ngushtë juridik, janë të drejta të cilat gëzojnë një mbrojtje të gjerë dhe kanë efekt ndaj të gjithëve ‘erga omnes’, që do të thotë secili duhet t’i respektoj ato, dhe pronari ka tri autorizime: të drejtën e përdorimit, shfrytëzimit dhe disponimit.

 Sipas Nenit 8 të Ligjit Nr. 04/L-026 Për Markat Tregtare (LMT), të drejtat nga markat tregtare konsiderohen të drejta pronësore dhe të njëjtat përbëjnë të drejta absolute. Kjo nënkupton se të gjitha palët e treta obligohen që të përmbahen nga përdorimi i paautorizuar i markës tregtare të regjistruar. Titullar i markës tregtare mund t`i ndalojë palët e treta që pa pëlqimin e tij të përdorin shenjën identike ose të ngjashme për mallrat apo shërbimet të llojit të njëjtë ose të ngjashme.

Në tregun e Kosovës kompanitë, të cilat kanë licenca dhe marrëveshje ekskluzive për distribuimin e mallrave nga prodhuesit, po përballen me një problem të madh, importin paralel.

Import paralel kemi atëherë kur, operues të ndryshëm ekonomik, i sjellin mallrat e njëjta pa marrëveshje dhe licenca nga depo të ndryshme të mallrave, me ç ‘rast kemi edhe shkelje të markës tregtare, pasi është vendosur ne treg pa pëlqimin e pronarit. Importi paralel në Kosovë flitet se mund të jetë deri në 20 %, në disa brende të tregut të shitjes me pakicë në total (për disa produkte varion tregu paralel nga 10% deri në 30%) , edhe pse nuk ka matje të sakta.

Ky import shkakton huti te konsumatorët, pasi vihen në dilemë cilësia e mallrave nga importuesit e rregullt dhe ata paralel, duke krijuar konfuzion tek konsumatorët. Në anën tjetër, përmes importit paralel, dëme ju shkaktohen edhe kompanive të autorizuara në qarkullimin e mallrave, duke krijuar depresion të çmimeve në treg, pasi prodhuesit caktojnë çmimet dhe qarkullimet vjetore për distributorët e autorizuar, ndërsa importuesit paralel i marrin këto mallra ad – hoc nëpër tregje të ndryshme dhe depo të ndryshme me çmime më të ulëta dhe vendosin çmime ad-hoc në treg (duke i kapur rabatet – zbritjet e caktuara, nga depo të cilat dëshirojnë të lirohen nga këto mallra para skadimit të afatit të tyre dhe arritjes së targeteve të tyre në shtetet përkatëse). Këtyre dëmeve ju shtohen edhe mos respektimi i tatimeve, pasi shumica e kompanive që sjellin mallra paralele nuk janë të rregullta me taksa dhe shesin në tregun tradicional (jo të organizuar), përkatësisht në shitoret e lagjeve, ku mungon në masë të madhe fiskaliteti dhe shteti dëmtohet në inkasimin e taksave.

Ka disa mendime se dalja në treg e produkteve, e konsumon të drejtën e mbrojtjes së markës tregtare (ezaurimi i markës), pasi vepron tregtia e lirë, e cila nënkupton kushdo mund të shesë dhe të blejë, por këtu nuk qëndron, pasi tregtia e lirë e ka njëfarë kufizimi, pronarët e mallrave (markave tregtare) e kanë të drejtën e pakontestueshme që këto mallra t’i shesin në cilindo treg dhe të autorizojnë personat e caktuar t’i shesin mallrat e tyre.

Në të kundërtën, çfarë e efekti do të kenë markat tregtare, kur kushdo mund të importoj dhe të shesë, në këtë rast nuk do të kishin logjikë licencat dhe përfaqësimet tregtare. Gjykata e Apelit në Kosovë, mjaft mirë e ka sqaruar parimin e ezaurimit të markës, citoj “Ezaurimi (humbja) e të drejtave të markës tregtare (exhaustion of rights principle) – Doktrina apo parimi i “shterjes së të drejtave” pas “shitjes së parë” përbën parim sipas të cilit kontrolli i bartësit të markës tregtare mbi produktin apo shërbimin që bartë markën e tij tregtare pushon pas shitjes së parë të produktit. Ky parim i referohet kontrollit mbi produktin dhe jo kontrollin mbi markën tregtare si pronë e paprekshme….’’.

Kosova për të ndaluar importin paralel duhet të marrë masa konkrete, përmes Doganës së Kosovës, duke mos i lejuar mallrat e importit paralel të futën në treg, për arsyet e lartcekura, pa një marrëveshje me prodhuesin. Po ashtu, përmes këtyre masave, kompanive serioze ju ofrohet mbrojtje ligjore në veprimtaritë e tyre të rregullta dhe fiskale. Ndërsa , zinxhirët e markave (retail) duhet të krijojnë një marrëveshje mes vete, që këto mallra të importit paralel, mos të blihen në tregjet e importuesve paralel dhe të bojkotohen, duke e ruajtur kështu njëri tjetrin nga këto veprime të dëmshme nga eksponentë të caktuar në treg. Tregu i organizuar paraqet rreth 60% të tregut në Kosovë, andaj një marrëveshje e tillë kishte me qenë një goditje direkte për importuesit paralel, si dhe Odat Ekonomike duhet të veprojnë me organizime të ndryshme për ndalimin e kësaj dukurie negative.

Gjykata Ekonomike, ka tagër ti trajtoj shkeljet e markave tregtare dhe t’i ndaloj ato. Ka shumë lëndë të cilat janë aprovuar dhe janë asgjësuar mallrat si pasojë e importit paralel, por Kosova duhet të veproj para se të shkaktohen pasoja më të mëdha dhe të krijoj siguri për përfaqësitë e mëdha tregtare në Kosovë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.