SHËNDETËSIA

IKShPK-ja kritikohet për mbrojtjen e Hotit dhe për “të drejtën që çdokush e ka të infektohet”

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës në mbrëmjen e së hënës u bë pjesë e debatit publik, shkaku i një deklarate që e postoi në rrjete sociale.

Pas kritikave që iu drejtuan kryeministrit Hoti se pas testimit për COVID-19 nuk i ka zbatuar rekomandimet për vetizolim, Instituti në këtë deklaratë ka shtuar se “Gjithkush ka të drejtë të infektohet”, raporton KOHA.

Nga shumë komentues në rrjete sociale u vlerësua se kjo fjali mund të ketë efektin e kundërt nga ajo që ishte planifikuar.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga IKShPK-ja që të vazhdojë ta ruajë profesionalizmin e të mos bëhet pjesë e diskursit politik ditor.

“Ka shumë çështje serioze me të cilat IKShPK-ja duhet të merret, pjesëmarrja në interpretime e diskurse politike definitivisht nuk duhet të jetë një ndër to. Qytetarët vërtet kanë nevojë për informacion, por në këtë situatë mjaft kaotike kanë nevojë edhe për qetësi”, ka thënë Krasniqi.

Njëjtë është shprehur edhe analisti politik, Imer Mushkolaj. Ai ka thënë se Instituti nuk duhet të marrë anë politike në këtë situatë, përveçse të informojë drejt dhe qartë qytetarët.

“IKShPK-ja nuk duhet të vihet në shërbim të politikës, pa marrë parasysh kush është në pushtet ose opozitë. IKShPK-ja nuk duhet të lëshojë pamflete politike, por të informojë drejt dhe saktë për situatën”, ka thënë Mushkolaj.

Ky lloj komunikimi me publikun po konsiderohet joserioz dhe me ndikim negativ në zbatimin e rekomandimeve nga ana e qytetarëve.

Mirëpo, kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, thekson se është mungesa e profesionalizmit në aspektin e komunikimit me publikun ajo që ka çuar deri tash në disa gafa të institutit, pavarësisht qëllimit të tyre të mirë.

“Unë konsideroj se ka vërejtje dhe kritika për mënyrën e komunikimit publik. Komunikimi publik dallon prej punës profesionale që ka të bëjë sepse është një shkollë e veçantë dhe tepër e rëndësishme. Rasti i mbrëmshëm ishte i tillë. Nuk besoj që ka qenë i qëllimshëm por besoj që ka qenë më shumë gabim në aspektin profesional të kuptimit që nuk janë ekspertë”, është shprehur Hajrulllahu.

Pavarësisht reagimeve të shumta, Instituti nuk ka dhënë kurrfarë përgjigje, me gjithë insistimin e KOHËS.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483