SHËNDETËSIA

IKShPK-ja konfirmon: Në Kosovë, asnjë i prekur nga koronavirusi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), ka bërë të ditur se deri më tash asnjë pacient nuk është i prekur nga koronavirusi.

Në një komunikatë të nisur të mërkurën mbrëma, IKSHPK-ja ka treguar se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, me metodën rRT-PCR, janë testuar gjithsej 17 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Testimet janë bërë në periudhën nga 8 shkurti e deri më sot.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë ditës së sotme, më 26 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për 6 raste të dyshimta në COVID-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e IKShPK-së.