Kosova

IKD publikon emrat e kandidatëve të PDK-së për deputetë që kanë aktakuza dhe dënime në tri vitet e fundit

Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka hulumtuar integritetin e kandidatëve të partive politike të përfshirë në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së, tregojnë se në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga 110 kandidatë për deputetë, prej tyre, në tri vitet e fundit rezulton se është një (1) kandidat që është dënuar me 500 euro gjobë dhe gjashtë (6) muaj burgim me kusht, me aktgjykim të shkallës së parë për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Po ashtu, në listën e PDK-së për kandidat për deputet janë edhe të paktën katër (4) kandidatë ndaj të cilëve ka aktakuza aktive. Për tre (3) prej tyre, gjykimi është në proces në shkallë të parë, kurse, për një (1) kandidat ka përfunduar gjykimi në shkallë të parë me aktgjykim lirues, porse, vendimi ende nuk është i formës së prerë.

Duke qenë se IKD është e vetmja organizatë, e cila monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve në sistemin e drejtësisë, në vazhdim pasqyron në mënyrë detajuar, të gjitha informacionet për këta kandidatë të PDK-së.

Tabela 1: Kandidatët e PDK-së për deputet me aktakuza si dhe dënime në tri (3) vitet e fundit

IKD në listën zgjedhore të PDK-së ka identifikuar edhe të paktën një (1) kandidatë për deputet, i cili është dënuar edhe para tre (3) viteve të fundit. Pa paragjykuar asnjë kandidatë, IKD me poshtë paraqet informacionet në lidhje me këta kandidatë që kanë kaluar nëpër procedura në sistemin e drejtësisë.

Tabela 2: Kandidatët e PDK-së me dënime më të vjetra se tri (3) vjet

IKD vazhdimisht ka avokuar për dekriminalizimin e skenës politike, duke kërkuar nga partitë politike që të ngrisin integritetin e listave zgjedhore me kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin.

IKD thekson se këto të dhëna janë mbledhur nga monitorimi sistematik i seancave gjyqësore publike. Pra, ka mundësi, sikurse ka ndodhur në praktikën gjyqësore, që të ketë aktakuza të ngritura ndaj politikanëve të caktuar, që mund të jenë në këto lista, por të cilat nuk janë bërë publike ende.

Gjithsesi, IKD do të hulumtojë edhe ditët në vazhdim, për të kompletuar secilin informacion mbi secilin kandidatë që gjendet në listat zgjedhore.

IKD do të publikojë të dhënat e te gjithë kandidatëve që janë në listat zgjedhore të të gjitha partive politike dhe koalicioneve, duke u bazuar në të dhënat e monitorimit nga sistemi i drejtësisë.