Kosova

IKD: Prokurorët zyrat e tyre i kanë kthyer në zyra postare

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar raportin“Prokuroria pasive e Apelit” duke thënë se punët e tyre në praktikë janë të barabarta me zero.

Ehat Miftaraj nga IDK, ka thënë se Prokuroria e Apelit ka përfomrancë të mirë në kuantitet, por në raport me zbatimin e ligjit është dobët.

Ai ka thënë se prokurorët zyrat e tyre i kanë shndërruar në zyra postare.

“Prokuroria e Apelit është ndër institucionet me përformancen me të mirë 100 në trajtimin e lëndëve që i pranojnë. Përderisa me kuantitet në prokurori qëndron mirë ndryshe qëndron me kualitetin që kjo prokurori ka në raport me zbatimin e ligjit që del që është e barabartë me zero. Në bazë të monitorimin del se prokurorët zyrat e tyre i kanë kthyer në një zyrë postare e cila posedon shpresa dhe punën e saj e bazon në praktika shabllon”.

Miftari tha se Prokurorët marrin pjesë vetëm 4 për qind në rastet në gjykatën e apelit.

Ndërsa, Lavdim Bajraktari, hulumtues në IKD, tha se ajo çka e dallon në këtë rast Prokurorinë e Apelit nga prokuroritë themelore dhe PSRK, është se puna e kësaj prokurorie është e fokusuar kryesisht në analizimin e ankesave të cilat i hartojnë prokuroritë e shkallës së parë, palët e dëmtuara si dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre dhe pas analizimit të këtyre ankesave dhe aktgjykimeve të shkallës së parë, kjo prokurori i drejtohet me një parashtresë Gjykatës së Apelit të cilës mund t’i propozojë aprovimin, hudhjen poshtë të ankesave apo ndryshimit të aktgjykimit.

Mirëpo, ndikimi real i këtyre të propozimeve të Prokurorisë së Apelit, në aktgjykimet që i merr gjykata e shkallës, sipas Bajraktarit, është thuajse plotësisht irelevant.

“Në vetëm një nga 100 aktgjykimet e Gjykatës së Apelit që janë analizuar për këtë hulumtim, del se propozimi i Prokurorisë së Apelit është përmendur dhe marrë parasysh në arsyetim të aktgjykimit. Në të gjitha arsyetimet e aktgjykimeve tjera, propozimet e Prokurorisë së Apelit janë inekzistente”, tha Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, nga kjo del se vendimet e saj, Gjykata e Apelit thuajse në të gjitha rastet i bazon në ankesat që bëhen nga prokuroria themelore, palët e dëmtuara dhe ato të akuzuara, kurse ndikimi i propozimeve të Prokurorisë së Apelit del se është thuajse krejt i parëndësishëm.

Po ashtu, Bajraktari tha se shqetësuese në rastin e Prokurorisë së Apelit është edhe fakti se prokurorët e kësaj prokurorie, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk prezantojnë në seancat e Gjykatës së Apelit. Sipas tij, përkundër se mos pjesëmarrja e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit në seancat publike që mban Gjykata e Apelit nuk është pengesë procedurale për mbajtjen e seancave, përfaqësimi në këto seanca mbetet një ndër mundësitë e vetme që kanë prokurorët e Apelit, që të tregojnë edhe atë kreativitetin e tyre në argumentimin sa më të mirë para gjyqtarëve se pretendimet ankimore të dhëna nga prokurorët e shkallës së parë janë të bazuara.

“Nga 438 seancat që ka monitoruar IKD gjatë viteve 2018 dhe 2019, Prokuroria e Apelit kishte prezantuar në vetëm 4 % të tyre”, tha Bajraktari.

Tutje, Bajraktari shtoi se niveli i ankesave të ushtruara nga Prokurori i Shtetit e të cilat aprovohen nga ana e Gjykatës së Apelit vazhdon të jetë shumë i ulët duke përmendur statistikat e Raporteve të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional, sipas të cilave, niveli i ankesave të prokurorëve që aprovohen nga Gjykata e Apelit është më i ulët se 10 %.

Në fund, Bajraktari numëroi disa nga rekomandimet që IKD ka dhënë në këtë raport, ndër të cilat përfshihen ajo që Prokuroria e Apelit duhet të ndërtojë një qasje më pro aktive në mbrojtjen e ankesave të Prokurorit të Shtetit në Gjykatën e Apelit, pjesëmarrja e prokurorëve të Apelit në seancat e shkallës së dytë, që për dështimin e organit të ndjekjes në rastet në shkallë të dytë, KPK të mbajë përgjegjës edhe Prokurorinë e Apelit dhe të tjera./EO

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.