IKD: Mbi 600 padi ndaj Qeverisë për moszbatim të pensionit të dyfishtë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të “Javës së Ndihmës Juridike Falas”, organizoi sot një tryezë diskutimi me temën “(Mos) Zbatimi i të drejtave të pensionistëve në praktikë dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë”.

Siç bën të ditur IKD në komunikatën për media, në këtë tryezë munguan nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve të cilët nuk iu përgjigjen pozitivisht ftesës për pjesëmarrje.

Drejtori Ekzekutiv i IKD, Ehat Miftaraj, informoi se Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka depozituar mbi 600 padi për moszbatim të pensionimit të dyfishtë.

Ai theksoi se shumë qytetarë me moshë të shtyrë përballen me këtë problem, duke kërkuar ndihmë në zyrat e IKD-së dhe në departamentet e pensioneve.

“Në zyrat e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së vijnë qytetarë të cilët janë të moshave të shtyra, ka edhe 80-90 vjeçar, të cilët fatkeqësisht enden jo vetëm zyrave të IKD-së por edhe zyrave në departamente të pensioneve, në komunat ku ata janë”, ka thënë Miftaraj.

Ai shtoi se IKD ka analizuar mohimin e pensioneve të dyfishta për kategoritë e caktuara, duke u fokusuar në ligjet për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UCK-së, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Derisa, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, shprehu shqetësimin e tij për trefishimin e lëndëve në sistemin gjyqësor për shkak të moszbatimit të ligjeve në mënyrë të drejtë.

“Situata e pensionit të dyfishtë ose me dy skema pensionale veçse po merr dimension në procedura gjyqësore dhe besoj që duhet kjo të reflektojë në përmbushje të vullnetshme. Po e themi edhe në mënyrë specifike se të gjitha kategoritë meritojnë respektin por nuk duhet me e harru asnjëri prej nesh që norma ligjore në fakt e ka edhe dimensionin social dhe human brenda vetës dhe në këtë rast të gjitha skemat sociale ndërtohen mbi këtë koncept. Prandaj, ky dimension duhet të shtrihet edhe në zbatimin e normës dhe jo në këtë situatën kur njerëzit vendosen në dilemë dhe në vështirësi për realizimin e së drejtësi”, tha Zogaj.

Kurse, Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur ndau sfidat që përballet në zgjedhjen e pensioneve për personat e zhdukur.

“Kur t‘parën ditë me kanë thanë se nuk ke të drejtë Bajram Çerkini, 38 vjet kam punu në Trepçë, a po e don pensionin kontributdhënës apo kompensimin e djalit të cilin s’e ki, ajo situatë m’u ka dok shumë e rëndë, edhe sot po m’doket e rëndë”, tha Çerkini.

Tryeza i përfundoi punimet e saj, me konkluzionet që Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të bëjnë zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues të pensioneve sipas ligjeve të tjera të veçanta.

Go to TOP