Kosova

IKD: Emërimi i kryeprokurorëve nuk i plotëson standardet e kërkuara

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas IKD, procesi i emërimit të kryeprokurorëve nuk i plotëson standardet e kërkuara për të siguruar një proces të emërimit të bazuar sipas meritokracisë, publicitetit, respektimit të procedurës së pavarur të ankesave që ndikon në mungesën e besimit të publikut për një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm.

Sipas tyre, procesi i emërimit të kryeprokurorëve të PSRK dhe PTh në Prishtinë, është karakterizuar me mungesën e duhur të publicitetit dhe transparencës për publikun. Seancat e KPK-së lidhur me kundërshtimet e parashtruara nga ana e kandidatëve për kryeprokuror të dy prokurorive janë mbyllur për publikun, përderisa KPK nuk ka dhënë asnjë sqarim apo arsyetim me shkrim.

“Fatkeqësisht si Paneli Vlerësues ashtu dhe Komisioni për ri-shqyrtim nuk kanë arritur që detyrat dhe përgjegjësitë e tyre t’i përfundojnë në pajtim me frymën dhe qëllimin e Rregullores. Për më tepër, si rezultat i mos kuptimit të Rregullores së miratuar nga të njëjtit anëtarë të KPK-së, kandidatët për Kryeprokurorë kanë kaluar përmes procesit të vlerësimit dhe poentimit dy herë para Panelit Vlerësues, në bazë të kundërshtimeve të paraqitura nga kandidatët. Në bazë të rregullores, poentimi dhe vlerësimi i kandidatëve do të duhej të ishte mirë i arsyetuar dhe i bazuar, e që në praktikë kjo nuk ka ndodhur”, thuhet në komunikatë.

IKD kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e kryeprokurorëve.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.