Bota

Izraeli “do të bëjë gjithçka” që Irani të mos ketë armë bërthamore

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, tha se vendi i tij do të bëjë “gjithçka që duhet” për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Komentet ai i bëri pas një samiti të mbajtur në Qipro, me homologët e tij grekë dhe qipriotë dhe një përfaqësues të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne diskutuam sfidat që Irani dhe Hezbollahu dhe ekstremistët e tjerë paraqesin për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe paqen rajonale. Do të bëjmë gjithçka që duhet për të parandaluar këtë dhe patjetër, për të parandaluar që ky regjim të ketë armë bërthamore”, tha Ashkenazi.

Të premten, Irani tha se ka filluar me pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind pastërti. Ky është niveli më i lartë deri më tash. Për të prodhuar bombë bërthamore, pasurimi i uraniumit duhet të jetë 90 për qind.

Njoftimi u bë disa ditë pas një incidenti në uzinën bërthamore Natanz të Iranit.

Që kur ndodhi incidenti në Natanz, Irani ka thënë se ai është një akt i “terrorizmit bërthamor”, duke potencuar se sulmi kishte për qëllim që të pengojë zhvillimin e negociatave indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Irani ka filluar bisedimet në Vjenë të Austrisë me fuqitë botërore në përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila janë larguar Shtetet e Bashkuara, tre vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara nuk po marrin pjesë direkt në bisedime, mirëpo një delegacion amerikan po qëndron në një vend afër Hotelit ku po mbahen bisedimet. Negociatat kanë për qëllim të kthejnë Uashingtonin në marrëveshje dhe të detyrojnë Teheranin ta zbatojë atë plotësisht.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e tërhoqi ShBA-në nga marrëveshja historike në vitin 2018. Administrata e tij rivendosi sanksione ekonomike shkatërruese ndaj Iranit. Trump pati thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

“Ne nuk duhet t’i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës”, ka thënë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.