SPORT

Ibrahimoviqi nga Kosova po rritet te Bayerni

Ka shumë futbollistë nga Kosova që janë frymëzuar nga Zlatan Ibrahimoviqi i famshëm. Ndonjë prej tyre në moshë të re edhe është krahasuar me superyllin që aktualisht luan te Milani.

Rasti i një talenti të Bayern Muenchenit megjithatë dallon shumë nga të tjerët. Bëhet fjalë për futbollistin 14-vjeçar që e ka mbiemrin Ibrahimoviq dhe që është me prejardhje nga Kosova.

“Unë jam nga Kosova”, ka thënë Arijon Ibrahimoviq (Ibrahimovic) për Koha.net.

Ibrahimoviqi kosovar po zhvillohet në Akademinë e Bayernit, së bashku me disa lojtarë tjerë me rrënjë nga Kosova. Mbanë fanellën me numrin dhjetë, ndërsa vlerësohet lartë për talentin që ka.

Në moshë më të re ka thënë se ëndërron të bëhet si Cristiano Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimoviqi. Pozita e tij në fushë është e përafërt me pozitën e tyre.

“Jam Arijoni, jam 14-vjeçar dhe luaj për Bayernin. Aktualisht jetoj në konviktin e klubit bavarez. Prindërit e mi jetojnë në Nuernberg, këtu në Gjermani. Unë shkoj shpesh për pushime në Kosovë. Te Bayerni janë edhe disa lojtarë tjerë nga Kosova dhe me ata kaloj shumë mirë. Jam po ashtu shumë i kënaqur me zhvillimin që po e bëjë te Bayerni”, ka theksuar Ibrahimoviqi i ri. Ai ka treguar se është me prejardhje nga Prizreni.

Për edicionin 2019\2020, Ibrahimoviq është pjesë e ekipit U-15 të Bayernit. Në një ndeshje kampionale ka shënuar plot katër gola. Vitin e kaluar ai iu bashkua Bayernit, përkatësisht Qendrës së Performancës së të Rinjve të këtij klubi.

Ibrahimoviqi është zbuluar në moshën 5-vjeçare nga trajneri e menaxheri Hans Schuller. Ai e dërgoi te Greuther Fuerthi ku Arijoni ushtroi për disa vite. Ishte më i miri në gjeneratën e tij, ka njoftuar Schuller në faqen e tij zyrtare. Në moshën 10-vjeçare kaloi në Nuernberg dhe luajti katër vite tjera te ky klub. Pas paraqitjeve të mira ra në sy të klubeve të mëdha gjermane dhe Bayerni veproi shpejtë.

Te Bayerni, klubi bindshëm më i madh në Gjermani, po zhvillohen edhe lojtarë tjerë nga Kosova. Leon Dajaku tashmë ka disa paraqitje për ekipin e parë në Bundesligë. Benjamin Dibrani, Behar Neziri, Erblin Osmani, Nderim Zogaj, Lendi Hoti, Lamar Rama janë po ashtu duke u zhvilluar në Akademinë e Bayernit.

Ish-reprezentuesi i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviq është prej lojtarëve më të njohur në dy dekadat e fundit. Ka luajtur për skuadra si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, PSG, Manchester United, LA Galaxy e Milan. Ka bërë histori me shumë prej tyre.