INTERVISTA

Ibrahimi: Kriza politikë në Kosovë – papërgjegjësi e klasës politike

Analisti, Ilir Ibrahimi, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se kriza politike në Kosovë është pasojë e papërgjegjësisë së klasës politike e cila duhet të rreshtohet me interesat strategjike amerikane. Amerika tha ai po e kërkon një partner nga Kosova.

Zëri i Amerikës: Zoti Ibrahimi, si i shihni zhvillimet politike pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një mocion votëbesimi për rrëzimin e qeverisë së koalicionit me lëvizjen Vetëvendosje?

Ilir Ibrahimi: Pikë së pari, është një situatë fatkeqe sepse në momentin kur ne jemi duke u ballafaquar me një krizë me të cilën po ballafaqohet e gjithë bota, pra një pandemi, popullatës së Kosovës i servohet edhe një sfidë tjetër pra të përballet edhe me një krizë politike e cila fatkeqësisht edhe njëherë tregon papërgjegjësinë totale të klasës politike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Pse u ndodhë Kosova në një situatë të tillë?

Ilir Ibrahimi: Të gjitha veprimet që i kemi parë kohëve të fundit nuk kanë lënë alternativë tjetër pos të shkohet te kjo. Vendimi i zotit Kurti për ta hequr zotin Veliu, për ta kërkuar dorëheqjen e tij, apo shkarkimin e tij nga detyra, është e barabartë me atë që të hiqet dorë nga qeverisja. Nuk ka mundur të pritet ndonjë reagim tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës me një vendim kaq të ashpër, të pakonsultuar dhe një shkelje të marrëveshjes të cilën ata e kanë pasur. Pra çdo ministër i cili do të mund të shkarkohej nga LDK-ja do të duhej të bëhej me konsultim me LDK-në dhe reagimi i LDK-së në këtë rast ka qenë i pritshëm. Nuk jam befasuar sepse çdokush i cili e udhëheq një parti të madhe siç është LDK-ja nuk do të mund të pranonte një sfidë të tillë.

Zëri i Amerikës: Çfarë pritni tash dhe çfarë qeverie i duhet Kosovës?

Ilir Ibrahimi: Kosovës i duhet një qeveri konsensuale, këtë e kam thënë qe dy tre vitet e fundit, jo pse veç po e them unë, por këtë e kanë kërkuar edhe partnerët tanë. Në dy letrat e presidentit Trump kërkohet një konsensus i klasës politike në Kosovë për të marr pjesë në dialogun i cili do të çonte drejt një marrëveshjeje me Serbinë. Ky konsensus fatkeqësisht nuk është arritur të bëhet. Të gjitha partitë politike e kanë fajin e vet këtu dhe tani jemi në një situatë ku duhet të ballafaqohemi me një krizë shëndetësore, me pandemi dhe duhet të ballafaqohemi me një krizë për formimin e institucioneve të reja. Kushtetuta lejon disa mundësi për ta dalë nga kjo krizë, jo domosdoshmërisht të shkohet në zgjedhje. Nëse arrihet të votohet mocioni i votë besimit i iniciuar nga LDK-ja, atëherë presidenti duhet pikë së pari fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast Vetëvendosjes t’i ofrojë nëse do të mund ta formoj një qeveri tjetër dhe nëse nuk arrihet një gjë e tillë atëherë duhet të bëhet një konsultim me partitë tjera politike që të formohet një qeveri tjetër. Kjo e dyta po shihet se ka mundësi më ta madhe sepse ka filluar tani më diskutimet ndërmjet partive tjera politike të udhëhequra nga LDK-ja dhe unë po pres ndoshta që do të ketë një qeveri e cila do të udhëhiqet nga LDK-ja me partitë tjera, pa Vetëvendosjen. Do të ishte mirë të ishte edhe Vetëvendosje, mirëpo duke parë zhvillimet e fundit ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk po e shoh që kjo e fundit do të merrte pjesë.

Zëri i Amerikës: Kush e rrëzoi qeverinë, Lidhja Demokratike apo dikush tjetër?

Ilir Ibrahimi: Unë po besoj që qeverinë e ka rrëzuar Albin Kurti me vendimin për shkarkimin e Agim Veliut. Nuk ka mundur të pritet ndonjë reagim tjetër nga LDK-ja.

Zëri i Amerikës: A ishte edhe çështja e tarifës një nga arsyet e rrëzimit të qeverisë?

Ilir Ibrahimi: Tarifa është pika kyçe e cila e ka rrëzuar qeverinë Haradinaj dhe po pritet ta rrëzojë edhe qeverinë Kurti. Unë nuk po e kuptoj se si klasa politike e Kosovës po mundohet t’i bëj ballë një strategjie dhe interesi kombëtar të shprehur nga ShBA-të. Nëse ne të gjithë deklarohemi se Shtetet e Bashkuara janë miku më i madh dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Si po mund ne të dalim kundër interesave strategjike amerikane nuk po e kuptoj. Ka humbur racionaliteti në klasën politike të Kosovës dhe më tepër po shihet se vendimet e tyre janë sa vota do të sjellin mirëpo nuk është interesi i vendit parësor në këtë rast dhe kjo është fatkeqësi. Është momenti i fundit që të hiqen këto mendësi të ulëta dhe mendësi dashakeqe sepse nuk i duhet asnjë partie politike vota për të udhëhequr një shtet i cili nuk ka prosperitet, i cili nuk të ardhme të sigurt në botën të cilën po jetojmë sot. Ne duhet të rreshtohemi me interesat strategjike amerikane, duhet të jemi partner me ta dhe ta mbrojmë interesin tonë në suazat e këtyre interesave, në suaza të kësaj strategjie. Amerika po e kërkon një partner te Kosova. Atë partner ende nuk po mund ta ofrojmë dhe kjo është fatkeqësi.