Rajoni

I riu rrëmben 18-vjeçaren me BMW, gazetari i shpëton jetën

Një 18-vjeçare u raportua se u rrëmbye ditën e sotme nga 4 persona, një prej tyre dyshohet se është i dashuri i saj. Sipas raportimit të parë, adoleshentja u mor me forcë në një makinë tip BMW, nga katër persona.

Por ajo arriti të shpëtonte vetëm falë denoncimit që gazetari i “Report TV” bëri në polici. Sipas uniformave blu, personi që rrëmbeu 18-vjeçaren R.K. ishte Romeo Meta, i cili pretendon se është i dashuri i adoleshentes.

Ky i fundit tregoi para efektivëve të policisë se, pasi ishin takuar, mes tyre kishte nisur debati dhe ai donte që ta dërgonte 18-vjeçaren në spital, pasi nuk ndjehej mirë.

Adoleshentja u shpëtua nga gazetari, i cili ndodhej aty në momentin që vajza kishte hapur derën e makinës dhe kishte kërkuar ndihmë.

“Ndodhesha në rrugën pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit kur po kalonte një makinë tip BMË dhe një vajzë hapi derën duke kërkuar ndihmë. Në momentin që vajza hapi derën, shpejtësia e makinës u ngadalësua nga shoferi, ndërsa më pas dera u mbyll, ndërsa automjeti rriti shpejtësia duke u larguar. Në këtë moment njoftova menjëherë drejtorin e Policisë së Elbasanit, Altin Qato, ndërsa vetëm pak minuta më pas makina u ndalua te Universiteti Aleksandër Xhuvani”, shprehet gazetari i Report Tv, Kozarja.

Shoferi dhe tre personat e tjerë u arrestuan, ndërsa adoleshentja ndodhet në spital për shkak të tronditjes.