KULTURË

I madhi Ismail Kadare sot mbush 83 vjeç! Të gjithë mund të shkoni në shtëpinë e tij

Ditën e sotme shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare feston 83-vjetorin e lindjes.

Menjëherë pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni kanë nisur punimet për kthimin në muze të shtëpisë.

Shumë shpejt shtëpia e të madhit Kadare do jetë një muze ku do të mirëpriten qytetarët e Tiranës si dhe turistë nga e gjithë bota.

Kryebashkiaku Erion Veliaj lidhur me nismën në fjalë u shpreh:

“Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli.

Ai është ndoshta emri më i njohur ndërkombëtarisht nga ne shqiptarët dhe besoj se për shumë turistë që vijnë në Tiranë, të cilët vizitojnë “Bunkerin”, “Shtëpinë e Gjetheve”, do të kenë një tjetër stacion fantastik këtu në shtëpinë e Ismail Kadaresë.

E falenderoj atë dhe Helenën, që bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për ta rikonceptuar, për ta kaluar këtë shtëpi në pronë të Bashkisë së Tiranës, teksa bashkia po eksploron se si do të marrë një rol aktiv edhe në muzetë e qytetit, dhe mbi të gjitha t’i uroj atij jetë të gjatë, shëndet dhe gëzuar ditëlindjen.”

Nga ana tjetër arkitektja e njohur italiane Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë:

Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri. Puna për ngritjen e kësaj hapësire është e bazuar tek ndihma e madhe që ka dhënë ai dhe Helena, por edhe nga gërmimet e thelluara për dokumentet dhe jetën e tij. Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte. Mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për gjeneratën e re, për fëmijët, por gjithashtu për Shqipërinë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë.