Bota

I dërguari i Posaçëm i Jemenit mirëpret vendimin e rebelëve Huthi për ndalim të sulmeve

I dërguari i Posaçëm i Jemenit në Kombet e Bashkuara, Martin Griffiths, tha të shtunën se deklarata e rebelëve Huthi që do të ndalin të gjitha sulmet ndaj Arabisë Saudite, do të ndihmonte në përfundimin e luftës së gjatë civile.

Griffiths tha se implementimi i një iniciative të tillë nga Huthit “me mirëbesim do të dërgonte një mesazh të fuqishëm të dëshirës për t’i dhënë fund luftës”.

Në një deklaratë nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Griffiths tha se dëshiron një zgjidhje politike për t’i dhënë fund konfliktit.

Ai theksoi rëndësinë e mundësisë për të lëvizur përpara me të gjithë hapat e nevojshëm për të evituar dhunën, eskalimin e situatës dhe retorikës së panevojshme.

Ndryshe, Riadi zyrtar tha se është duke shqyrtuar mundësinë për t’ju përgjigjur njoftimit të militantëve Huthi për ndalimin e të gjitha sulmeve kundër Arabisë Saudite.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, tha se janë duke pritur rezultatet e hetimeve të sulmit të 14 shtatorit ndaj rafinerive të naftës, para se të marrin një vendim.

Përkundër përgjegjësisë së marrë për sulmin nga militantët Huthi, ShBA-ja dhe Arabia Saudite kanë fajësuar Teheranin.

Presidenti amerikan Donald Trump, tha më 20 shtator se ka autorizuar një rritje të moderuar të trupave ushtarake në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, pas këtij sulmi.

Irani ka mohuar përfshirjen në sulm si dhe ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj çdo agresori.

Leave a Reply

Your email address will not be published.