Kosova

Hyseni tregon se si insistoi Rugova për pavarësi në takimin e parë me Sekretarin amerikan të Shtetit

Bashkëpunëtori i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Skender Hyseni, ka thënë se në mesin e shumë personaliteteve të shquara shqiptare asnjë nuk ishte si Ibrahim Rugova.

Ai e ka përshkruar figurën e Ibrahim Rugovës si një mishërim të një dijetari të rrallë dhe të një intelektuali të guximshëm.

“Padyshim siç e thotë edhe At Zef Pllumi Ibrahim Rugova e ka shënuar shekullin shqiptar. Gjatë shekullit të fundit shqiptarët kanë pasë personalitete të shumta të mëdha, por asnjë si Ibrahim Rugova”, ka thënë Hyseni në Klan Kosova.

“Asnjë me veçanti të theksuara siç i kishte Ibrhaim Rugova. Ai ishte mishërim i një dijetari të rrallë dhe të fortë, një politikani modern dhe vizionar dhe shumë prognozues i saktë. Ishte  mishërim i një njeriu që ishte absolutisht konsisent dhe i palëkundshëm në projeksionet e tij për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Këtë konsistencë dhe këmbëngulësi ai e mbronte me një butësi e cila e shquante veç Ibrahim Rugovën, askënd tjetër”.

“Nuk kishte madje as kundërshtar në qëndrime që do t’i mbante mëri Ibrahim Rugovës pse insistonte në diçka ndryshe”.

Hyseni e ka kujtuar takimin e parë të presidentit Ibrahim Rugova me Sekretarin Amerikan të Shtetit Warren Christopher në vitin 1995.

“Më duhet ta kujtoj takimin e parë zyrtar të presidentit të zgjedhur të Kosovës Ibrhaim Rugova me Sekretarin Amerikan të Shtetit Warren Christopher – nëntor-dhjetor 1995”.

“Ishte koha kur në State Departamentin Amerikan mbizotëronte ideja e një autonomie të zgjeruar për Kosovën ose siç quhej një autonomie përmbajtësore. Takimi ishte i shkëlqyeshëm, sepse kushdo që e takonte Rugovën përpos që synonte të këmbente pikëpamjet politike ishte edhe një kurreshtje që shkonte përtej kësaj – Rugova si pacifist, Gandi i Ballkanit dhe gjithë ato epitete që bota ia kishte dhënë”.

“Takimi rrodhi në atmosferë skajshëm miqësore, por në insistimin e sekretarit Christopher që Kosova mund të fitonte një autonomi të zgjeruar, presidenti Rugova i tha ‘Kjo nuk është zgjidhje për çështjen e Kosovës. Është një Kosovë e pavarur dhe neutrale, por ja që ne pajtohemi me një periudhë tranzitore disavjeçare – një protektorat ndërkombëtar. Pastaj, populli i Kosovës duhet të pyetet në referendum se çfarë do’.

“Në këtë konstatim të presidentit Rugova, sekretari Christopher e mori sërish fjalën dhe përmendi një varg arsyesh të kontekstit politik të atëhershëm pse ishte punë e vështirë që Kosova të bëhej e pavarur”.

“Sërish Rugova u kthye te e njëjta me gjithë mirëkuptimin dhe respektin dhe tha “Asnjë zgjidhje nuk funksionon në Kosovë përpos pavarësisë së plotë. Nëse nuk mund të përkrahni për këtë zgjidhje mund të bëhemi shteti i 51-të SHBA-ve’, i tha me gjysmë shaka dhe këtu plasi një e qeshur. Por, në këtë takim e ritheksoi disa herë me një konsistencë që e shquante – me fjalë të buta dhe mirëkuptuese – se duhet të ecim në drejtim të pavarësisë së vendit”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.