Kosova

Hyseni: S’e besoj që Kurti si kryeministër i kundërvihet politikave të jashtme amerikane

Koordinatori Shtetëror për Dialogun, Skender Hyseni, ka thënë se nuk e beson se Albin Kurti si kryeministër do të dalë kundër politikave të jashtme amerikane.

“Nuk e besoj që [Albin] Kurti si kryeministër i ardhshëm i Kosovës me politika të brendshme dhe të jashtme do t’i kundërvihet politikave të jashtme amerikane. Nuk e besoj. Nëse kjo do të ndodhte do të ishte me pasoja largvajtëse – jo vetëm për Kurtin, por për popullin e Kosovës dhe Kosovën. Kosova nuk guxon dhe nuk besoj që do ta humb asnjëherë një partner si SHBA-të”.

Albin Kurti jo rrallëherë është cilësuar “anti-amerikan” kryesisht nga kundërshtarët e tij politikë, por Skender Hyseni s’e komentoi këtë duke thënë se cilësime për politikanët bëhen lehtësisht në Kosovë – edhe pa asnjë analizë.

“Cilësime në politikë në Kosovë janë bërë lehtësisht shpesh herë për çdo gjë. Unë i refuzoj cilësimet e bëra lehtësisht dhe pa asnjë analizë. Veprimet e caktuara të një lideri politik duhet të shihen edhe në kontekst kohor dhe të ngjarjeve së caktuara, si dhe në kontekst të pozicionit politik që një lider i të djeshmes ose i të nesërmes e mban”.

Hyseni, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se do që të shohë një qeveri që e çon Kosovën përpara, duke shtuar se nuk mund të ketë Kosovë stabile pa SHBA-të dhe BE-në.

“Natyrisht që barra e përgjegjësisë i bie liderit dhe Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve në masë të madhe dhe e ka privilegjin dhe mundësinë që të bëjë gjënë e duhur në të gjitha rrafshet. A do ta bëjë këtë apo jo mbetet të shihet dhe unë nuk dua ta paragjykoj. Mund të shpreh dëshira dhe dëshira ime është që të shohë një qeveri që Kosovën e çon përpara”.

“Në çdo rrethanë LDK-ja do ta ruajë me çdo kusht partneritetin dhe afërsinë me BE-në dhe SHBA-në, sepse pa këtë partneritet nuk mund të ketë Kosovë stabile dhe as nuk mund të ketë rrumbullakësim të shtetndërtimit në Kosovë”.

Ai pati edhe një këshillë për kolegët e tij politikanë duke thënë se ata duhet t’ia kujtojnë vetes secilën ditë se Rezoluta 1244 është në fuqi pa datë të skadimit.

“Politikanët në Kosovë, secili pa përjashtim, duhet t’ia kujtojë vetes çdo ditë që Rezoluta 1244 është në fuqi dhe ajo rezolutë është e paafatizuar, nuk ka asnjë dispozitë përmbyllëse. Duhet të jemi shumë të ndërgjegjeshëm rreth kompleksitetit të këtij problemi dhe rreth nevojës akute që me dialog – duke i ruajtur parimet fundamentale si kufijtë, kushtetueshmërinë dhe unitaritetin e brendshëm – ta mbyllim këtë kontest politik dhe historik me Serbinë”.