Kosova

Hyseni: LDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin rreth reciprocitetit

Skender Hyseni, anëtar i kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka thënë në DESK të KTV-së se LDK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket reciprocitetit.

“Ka tri lloje reciprociteti që aplikohen në teorinë ndërkombëtare”, ka thënë Hyseni.

Qeveria ka vendosur reciprocitet të plotë, ka vazhduar ai, duke thënë se “nuk është aq e thjeshtë si pretendohet të prezantohet në opinion çështja e reciprocitetit”.

“Në rrethanat ekzistuese, derisa Kosova nuk e ka përmbyllur procesin e shtet-ndërtimit, aplikimi i reciprocitetit të plotë nuk është i mundshëm”, ka thënë ai, duke i dhënë arsyet.

Hyseni ka thënë se LDK-ja ka qenë e përkushtuar që Qeveria Kurti t’i përmbushte ato “kërkesa minimaliste”.

“LDK-ja ia ka bërë vazhdimisht me dije LVV-së që tarifa duhet të hiqet dhe që të bëhet një listë me masa reciprociteit. E në vend se Kurti të pajtohej me të, atë papritur e shohim një ditë në konferencë për medie që del dhe flet për një heqje të përshkallëzuar të tarifës, e jo të plotë si kërkonte Washingtoni”, ka thënë Hyseni.

Ai ka vazhduar se Kurti “në vend ta dënjonte me përgjigje Mustafa, shkarkoi një ministër të LDK-së, pa asnjë konsultim paraprak, si ishte përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit”.

“Kurtit i është thënë qartë se nëse nuk pajtoheni me kërkesat nga Washingtoni, të cilat janë eksplicite, LDK-ja nuk mund të qëndrojë në një Qeveri që prish raporte me partnerët strategjikë të saj. Por, kjo do të ndodhte pas pandemisë. E Kurti u përgjigj me shkarkimin e një zyrtari të lartë”, ka thënë ai.

Hyseni: Mustafa e luti Kurtin ta heqë tarifën pa kushtëzime

Skender Hyseni, anëtar i kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës i është referuar në DESK të KTV-së takimit që ka pasur në Washington me përfaqësuesit amerikanë.

“Të njëjtën ditë, kryetari Mustafa ka pasur një takim të gjatë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtit. Ia ka transmetuar besnikërisht kërkesat eksplicite të Shtëpisë së Bardhë, përkatësisht presidentit Trump”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se me këtë rast, kryetari Mustafa “e ka lutur kryeministrin Kurti që kërkesë eksplicite e ShBA-së është heqja e tarifës pa kushtëzime, pa reciprocitet”.

Hyseni ka bërë të ditur se në Washington, si përfaqësues i LDK-së ka insistuar në Shtëpinë e Bardhë që sa i përket reciprocitetit “ne do të bëjmë një listë me një varg masash reciprociteti, që do të ndërmerren varësisht nga sjellja e Serbisë”.

“Pra, heqja e tarifës do të ishte e kushtëzuar me vendosjen e masave të reciprocitetit. I vetmi dallim do të ishte që ato masa do të vendoseshin në koordinim me ShBA-në”, ka thënë ai.

Hyseni ka thënë se kërkesat zyrtarë të ShBA-së rreth heqjes së reciprocitetit janë shtruar vetëm pas themelimit të Qeverisë.

Hyseni ka folur në DESK edhe rreth paralajmërimit të LVV-së për ta dërguar në Kushtetuese .

“Sa i përket Interpretimit të Kushtetutës, gjëja më e shëndetshme është që atë t’ia lëmë vetë Gjykatës Kushtetuese dhe ajo jo domosdoshmërisht është e obliguar që ta interpretojë secilën kërkesë. Kështu, ajo e vlerëson vetë nëse duhet dhënë mendim”, ka thënë Hyseni, njëri nga hartuesit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.