Kosova

Hyseni i LDK-së: Të hiqet taksa pa reciprocitet

Skender Hyseni nga LDK, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë kujdes sa i përket tarifës 100 përqind ndaj mallrave serbe.

Ai ka theksuar se kjo masë duhet të hiqet dhe që nuk duhet vënë masa e reciprocitetit, transmeton Klan Kosova.

“Dështimet në rrafshin e partneritetit strategjik me SHBA-të, NATO-në dhe BE-në nuk i falen askujt. Krekosjet dhe thirrjet këtu në vota dhe manipulimi me popullizëm është mashtrim”, është shprehur Hyseni përmes Facebook.

“Çlirimi i Kosovës, në vitin 1999-të, dhe pavarësimi i Kosovës, në vitin 2008-të, kurrë nuk do të arriheshin pa një vullnet të pashoq të popullit të Kosovës, pa një miqësi shumë të veçantë të Kosovës me SHBA-në dhe me shtetet më të mëdha evropiane, dhe pa intervenimin e NATO-s. “Kontratë me NATO-n” e cilësonte Presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova Marrëveshjen e Rambujesë”.

“Synimet dhe objektivat madhorë të shtetit tonë nuk arrihen me politika infantile, me manovra revolucionare të zbulimit të ‘tradhtarëve’ midis nesh, me bërje publike të komunikimit të ndjeshëm zyrtar midis autrotiteteve të vendit me autoritetet më të larta të NATO-s, duke shkelur kështu çdo parim elementar të diskrecionit diplomatik”.