Bota

Hungaria zgjat pa afat kufizimin në lëvizje

Hungaria ka zgjatur masën e izolimit pa afat, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, ka thënë kryeministri i këtij shteti, Viktor Orban.

Ky shtet deri më tani ka regjistruar 980 raste të prekura dhe 66 vdekje si pasojë e koronavirusit, ndonëse qeveria e ka pranuar se numri i të infektuarve mund të jetë shumë më i madh.

Kufizimet shtetërore në lëvizje, duke përjashtuar shkuarjen në punë, blerjen e ushqimit dhe ilaçeve ishin shtyrë më parë deri më 11 prill.

“Jemi duke shtyrë zbatimin e masave kufizuese. Jemi duke i shtyrë ato pa afat”, ka thënë Orban në një adresim përmes llogarisë së tij në Facebook.

“Ne do të analizojmë zbatimin e kufizimeve në baza javore”, ka thënë ai.

Orban u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat gjatë Festës së Pashkëve, duke anashkaluar mbledhjen në grupe.

Orban po ashtu u ka siguruar kryetarëve të qyteteve më shumë liri për të “marrë masa më të ashpra sa u përket komuniteteve respektive”.

Parlamenti i Hungarisë ka miratuar javën e kaluar një projektligj, përmes së cilit Orban ka fituar fuqi të reja, për të cilat ka insistuar se janë të domosdoshme për të luftuar pandeminë.

Megjithatë, kritikët besojnë se ky është vetëm arsyetim për të fituar më shumë pushtet.