Hi Tech

Huawei thotë se sanksionet amerikane “dëmtojnë” miliarda klientë

Vendimi i ShBA-së për të vënë kompaninë kineze të teknologjisë Huawei në listën e zezë tregtare “vendos një precedent të rrezikshëm”, që do të dëmtojë miliarda klientë, tha një zyrtar i lartë i kompanisë.

Duke folur në një konferencë për media, shefi ligjor i kompanisë, Song Liuping tha se ndalimi i tregtisë do të “dëmtonte drejtpërdrejtë” kompanitë amerikane si dhe do të prekte vendet e punës.

“Ky vendim do të dëmtojë klientët tanë në mbi 170 vende, duke përfshirë më shumë se tre miliardë konsumatorë që përdorin produktet dhe shërbimet Huawei në të gjithë botën”, tha ai.

Uashingtoni kohët e fundit shtoi Huawei në një listë të kompanive me të cilat firmat amerikane nuk mund të tregtojnë.

Ndalimi i tregtisë është pjesë e një beteje më të gjerë midis ShBA-së dhe Huawei.

Uashingtoni thotë se kompania kineze, që është ndër prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve të telekomit në botë, cenon sigurinë kombëtare të ShBA-së.

ShBA-ja po ashtu thotë se kjo kompani mbledh të dhënat e klientëve dhe është e lidhur me qeverinë kineze.

Huawei ka mohuar vazhdimisht pretendimet se përdorimi i produkteve të saj paraqet rreziqe sigurie dhe thotë se është i pavarur nga qeveria kineze.