Hi Tech

Huawei s’do të sjellë sivjet telefon me sistemin e vet operativ

Kompania teknologjike “Huawei” edhe zyrtarisht ka mohuar planet se do të lansojë një telefon me sistemin e vet operativ “Harmony” në muajt e ardhshëm.

Zëvendëspresidenti i kompanisë, Vincent Yang, në një konferencë për media në New York ka thënë se prodhuesi kine nuk ka plane të lansojë telefon me këtë sistem sivjet, por konfirmoi se kompania do të lansojë produkte të tjera të mençura me “Harmony OS”. Këtu përfshihet një televizor dhe një orë e mençur, të dyja që pritet të dalin para fundit të vitit.

Vincent Yang ka thënë se kompania do t’i drejtohet sistemit të ri vetëm nëse raportet mes SHBA-së dhe Kinës përkeqësohen dhe kompanisë i ndalohet tregtia me partnerët në SHBA.

Aktualisht, Huawei po kalon në periudhën e përjashtimit deri të gjendet një rezolutë për të ndalur luftën tregtare mes dy ekonomive.

Ai ka sinjalizuar se Mate 30 do të vazhdojë të vijë në sistemin Android, por s’ka përjashtuar as mundësitë e tjera.