Bota

HRW: Qindra fëmijë të ndaluar në Irak për shkak të lidhjeve të dyshuara me IS-in

Rreth 1,500 fëmijë janë duke u mbajtur nga autoritetet federale dhe ato kurde në Irak, për lidhje të supozuara me grupin militant, Shteti Islamik (IS), ka thënë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Në raportin e ri është thënë se fëmijët janë zakonisht të arrestuar në mënyrë arbitrare dhe torturohen për t’u rrëfyer.

Kjo organizatë ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë federale dhe asaj të rajonit të Kurdistanit për të ndryshuar ligjet kundër-terrorizmit në mënyrë që t’iu jepet fund ndalimeve të tilla.

Sipas HRW-së, këto ndalime shkelin ligjin ndërkombëtar.

Zyrtarët irakianë dhe ata kurdë në anën tjetër nuk kanë bërë ndonjë koment për këtë çështje.

Qeveria e rajonit të Kurdistanit ka kundërshtuar më parë raportin e HRW-së, i cili pretendon se fëmijët janë duke u torturuar për të rrëfyer ndonjë lidhje me IS-in.

Në muajin janar, një zyrtar ka thënë se politika e këtij shteti është që të rehabilitojë këta fëmijë, tortura është e ndaluar edhe se fëmijëve janë duke u ofruar të drejta të njëjta sikurse të burgosurve të tjerë.