Kombëtare

Hoti në Prizren: Fuqizimi, zhvillimi dhe punësimi i të rinjve janë fokusi kryesor i qeverisjes së LDK-së

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka takuar të rinjtë e LDK-së nga rajoni i Prizrenit, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim për sfidat nëpër të cilat të rinjtë po kalojnë.

“Problemet e rinisë janë probleme për shoqërinë në përgjithësi dhe qeveria jonë ka ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problemeve përmes granteve specifike për të rinjtë dhe të rejat qe ju duhen për të filluar një biznes. Kjo gjë është një element shumë i rëndësishëm për pavarësinë e të rinjve” tha kandidati për kryeministër z. Hoti. 

Gjatë këtij diskutimi të përbashkët me të rinjtë, kryeministri Hoti theksoi se fokusi kryesor i qeverisjes së LDK-së, do të jetë qasja integruese me arsim cilësor, duke i ndihmuar të rinjtë në ngritjen e tyre në karrierë.

“Ne do t‘u sigurojmë të rinjve tanë arsimim cilësor, të bazuar në dijen e kohës, si dhe orientim profilesh mbi bazat e nevojave të tregut të punës”, tha kryeministri Hoti.

Ndër të tjera, duke pasur parasysh problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë,  kryeministri Hoti theksoi se qeveria e tij do të ndihmojë të rinjtë me shumë programe dhe projekte për fuqizimin, zhvillimin dhe punësimin e të rinjve, fondin financiar për kredi-dhënie dhe grante për të rinjtë.

Duke folur për pakon për rimëkëmbje ekonomike, ku Qeveria e Kosovës në vitin e kaluar ka ndarë 5 milionë euro për kulturë, rini dhe sport, ai theksoi se këtë vit, të rinjtë do të mbështeten edhe me 2.5 milionë euro me pakon e re për Rimëkëmbje ekonomike. /Kosova.info/