Hoxhaj: Zgjedhja e kryetarit të ri nuk është përpjekje për t’i zëvendësuar liderët që kemi në Hagë

Ud. i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe Kryesia qëndrore e partisë kanë dhënë sot dorëheqjen për ti hapur rrugë mbajtjes së Konventës me 3 korrik.

Hoxhaj thotë se zgjedhja e kryetarit të ri nuk është një përpjekje për të zëvendësuar liderët që janë në Hagë por është një mesazh që një PDK e fuqishme do të thotë edhe një UÇK më e fortë.

“Zgjedhja e kryetarit të ri nuk është përpjekje për t’i zëvendësuar liderët apo kryetarin që kemi në Hagë, por një mesazh se vetëm një PDK e fortë, e fuqishme politikisht dhe me mbështetje të madhe në Kosovë do të thotë edhe UÇK më e fortë, me udhëheqësit e saj më të fuqishëm dhe shtetin e Kosovës të përmbushur” shkruan Hoxhaj.

Postimi i plotë:

Të nderuar anëtarë dhe struktura të Partisë Demokratike të Kosovës,
Vendimi i javës që shkoi për ta shpallur Konventën zgjedhore të partisë, është përcjellë sot me ofrimin e dorëheqjes time si Kryetar në detyrë dhe kryesisë aktuale të partisë.

Kjo është një normë statutare dhe demokratike për t’i hapur rrugë organizimit të mirëfilltë të Konventës më 3 korrik.
Përgjatë tetë muajve të ushtrimit të kësaj detyre, një përgjegjësi që m’u besua pa dëshirën time dhe tonën, por si rezultat i arrestimit të udhëheqësve tanë, Kryetarit Veseli e

Presidentit Thaçi, kam kaluar nëpërmjet përvoje të jashtëzakonshme politike e personale.

Zgjedhja e kryetarit të ri nuk është përpjekje për t’i zëvendësuar liderët apo kryetarin që kemi në Hagë, por një mesazh se vetëm një PDK e fortë, e fuqishme politikisht dhe me mbështetje të madhe në Kosovë do të thotë edhe UÇK më e fortë, me udhëheqësit e saj më të fuqishëm dhe shtetin e Kosovës të përmbushur.

Faleminderit të gjithë anëtarëve për mbështetjen, bashkëpunëtorëve e lidershipit të partisë. Në angazhimin tim politik çdo herë kam qenë vetvetja dhe i kam shërbyer një kauze më të madhe që është Kosova dhe PDK, duke mos e parë asnjëherë statusin dhe pozitën si vizion por të kundërtën. Shteti jonë i pavarur, dhe roli thelbësor i PDK-së në shtetndërtim është vizioni jonë përbashkues.

Faleminderit dhe na priftë e mbara!

Go to TOP