Kosova

Hoxhaj, Taninit: Mos shpërndaj lajme të rreme në KS të OKB-së – shtetasi rus pengoi policinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të shefit të UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, i cili tha se zyrtari rus është keqtrajtuar gjatë aksionit të policisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Hoxhaj e ka parë të çuditshëm faktin se 20 vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 e cila solli paqen në Kosovë, përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Tanin, “do ta keqpërdorte në këtë mënyrë Këshillin e Sigurimit duke përhapur lajme të rrejshme”.

Hoxhaj deklaroi përmes Twitterit se e vërteta është që një zyrtar i UNMIK-ut ka ndërhyrë direkt duke penguar aksionin e policisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në veri të vendit.

“Shumë e çuditshme! 20 vjet pasi Rezoluta 1244 solli paqe në Kosovë, kush do të kishte menduar se PSSP-ja Tanin do të keqpërdorte KS-në e OKB-së për të shpërndarë lajme të rreme. E vërteta është se zyrtari i UNMIK-ut ndërhyri drejtpërsëdrejti dhe pengoi operacionin policor kundër krimit të organizuar në veri të vendit”, shkroi Hoxhaj në Twitter, raporton Koha.net.

Image

I dërguar special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, ka kritikuar institucionet kosovare për shpalljen si person të padëshiruar të zyrtarit rus të UNMIK-ut. Tanin madje thotë se zyrtari rus, i cili u arrestua pasi pengoi Policinë e Kosovës të kryente operacionin kundër kontrabandës, është sulmuar dhe keqtrajtuar nga institucionet e Kosovës.